Virusi nuk ndal rindërtimin – TËRMETI/ Shpronësime për 1 zonë zhvillimi në Thumanë, vlera 15.9 milionë lekë
Pavarësisht situatës së krijuar me përhapjen e COVID-19, qeveria po avancon me zbatimin e programit të rindërtimit, pas tërmetit të 26 nëntorit. Përmes një dokumenti që mban datën 1 prill, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka shpallur kërkesën për shpronësim apo për shkëmbim të pronës, me qëllim zhvillimin e një prej zonave në Njësinë Administrative të Thumanës.
Në total janë 21 prona që preken nga ky projekt, ndërkohë që 10 prej tyre janë pronë private, ndërsa pjesa tjetër është tokë shtet. Ministria e Infrastrukturës ka përllogaritur edhe vlerën përkatëse, me të cilën do të kompensohen pronarët që preken, ndërsa vlera totale e kompensimit shkon në 15,910,549 lekë.
Sipas kërkesës së publikuar në Fletoren Zyrtare, personat që preken nga ky projekt të cilët kanë emrin në tabelën e publikuar dhe personat të cilët preken por nuk figurojnë në këto lista, jo më vonë se 15 ditë pas këtij publikimi, kanë të drejtë të paraqesin pretendimet e tyre, të shoqëruara me dokumentet përkatëse pranë Fondit Shqiptar të Zhvillimit, si dhe në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, duke u shprehur nëse pranojnë kalimin vullnetar të pronësisë me kushtet e ofruara.
Në kuadër të procesit të rindërtimit, qeveria ka miratuar 18 zona të reja zhvillimi, 3 prej të cilave janë në Krujë, si një prej bashkive më të prekura./ SCAN