Visho Ajazi flet për rrezikun e ISIS në Shqipëri

 

Tiranë, 13 nëntor 2015 – Gjetjet e një studimi mbi strategjinë e marrëdhënieve online me publikun të ISIS në Shqipëri u prezantuan sot në Tiranë në një tryeze të rrumbullakët me politikëbërës, ekspertë si dhe përfaqësues të shoqërisë civile. Ky studim, i pari për sa i përket propagandës që përdor kjo strukturë terroriste për të rekrutuar ndjekës dhe luftëtarë të saj në trojet e banuara nga shqiptarë, u përgatit në kuadër të inisiativave publike të pjesëmarrësve të “Shkollës Shqiptare të Studimeve Politike”.

Aktiviteti u përshëndet nga Skënder Bruçaj, kryetar i Komunitetit Musliman Shqiptar,. Visho Ajazi Lika, kryetar i SHISH, Sandër Lleshi, këshilltar i Kryeministrit për Sigurinë Kombëtare, ndërkohë që pjesëmarrës dhe diskutantë ishin edhe përfaqësues të parlamentit, institucioneve ligjzbatuese si dhe përfaqësues të misioneve të huaja diplomatike si dhe akademikë.

Të pranishmit vlerësuan inisiativën e pjesëmarrësve të Shkollës për të studiuar këtë temë mjaft të rëndësishme dhe theksuan se kjo sfidë e propagandës së ISIS mund të përballohet vetëm me një bashkëpunim të gjerë ndërinstitucional si dhe më aktorët e shoqërisë civile dhe botës akademike.

Bruçaj u shpreh në fjalën e tij se duhet shpjeguar fakti se muslimanët janë viktimat e vërteta të ISIS. Jo vetëm si viktima nga luftimet në zonat në rrezik, por edhe muslimanët në Shqipëri dhe kudo në Botë, të cilët përballen me paragjykime dhe barriera të ngritura padrejtësisht. “Ne si KMSH kemi nxitur krijimin e disa mediave dhe portaleve online për të shpjeguar më mirë mesazhin e fesë dhe për të krijuar një barrierë ndaj kësaj propagande të terrorizmit.

Ajazi Lika nënvizoi faktin se institucionet ligjzbatuese janë të vëmendshme dhe kanë dhënë kontributin e tyre për të evituar rekrutimin e të rinjve shqiptarë, megjithatë kjo është një sfidë për të gjithë shoqërinë tonë. “Dëshiroj të theksoj edhe një aspekt tjetër, ai i pamundësisë që kanë disa prej atyre që janë viktima të kësaj propagande, të cilët dëshirojnë të heqin dorë nga ajo rrugë, por nuk e gjejnë veten të integruar më në shoqërinë tonë. Në këtë mënyrë rrezikojmë që ata të rikthehen në zonat e konfliktit”.

Lleshi, e vuri theksin mbi strategjinë kombëtare për të luftuar terrorizmin të përgatitur tashmë nga vendi ynë. “Zgjidhja e këtij problemi, tashmë ndërkombëtar, kërkon pjesëmarrjen e të gjithë aktorëve të shoqërisë. Shoqëria jonë duhet të gjejë mënyrat për të zhvilluar sa më shumë arsimin, jetën sociale dhe ekonomike në çdo zonë të vendit, në mënyrë që të rinjtë të mos izolohen dhe të rrezikohen nga kjo propagandë e ISIS”.

Dokumenti studimor analizoi mbi 270 mesazhe të faqeve propagandistike online në gjuhën shqipe, ose të përkthyera në gjuhën shqipe në “Facebook” dhe platforma të tjera online gjatë 3 muajve të fundit, duke krijuar një panoramë të mënyrave moderne të komunikimit që përdor ISIS si dhe duke ofruar disa rekomandime përkatëse. Disa prej këtyre rekomandimeve të prezantuara nga kërkuesi Z. Fabian Zhilla, pedagog i Institutit Kanadez të Teknologjisë dhe pjesëmarrës i Shkollës, ishin:

•           Politikat për pengimin e strategjive të rekrutmit të ISIS në Shqipëri duhet të konsiderojnë një kundër-narrativë dhe jo vetëm politika të ashpra të burgosjes dhe luftrave online ndërmjet shteteve dhe individëve radikalë (mbyllja e adresave web të ekstremistëve).

•           Përballja online me propagandën e ISIS duket sikur ka dështuar, pasi sa më shumë adresa web, apo faqe të individëve radikalë mbyllen nga agjensitë ligjzbatuese, aq më shumë hapen, akoma edhe më të sofistikuara.

•           Në vend të harxhimit të burimeve në mjetet online, qeveritë duhet të konsiderojnë faktorët offline që shtyjnë individët për të kontaktuar dhe komunikuar me ISIS. Fokusi duhet të orientohet në faktorët social dhe mënyrat për të integruar individët e radikalizuar online në shoqëri.

•           Çështja e ISIS ka treguar gjithashtu se rekrutimi nuk është vetëm individual, por mbart edhe lidhje komunitare. Shumë individë janë bashkuar me ISIS në grupe shokësh apo familjesh dhe duhen strategji qeveritare për të trajtuar këtë fenomen.

•           Nxitja e dhunës dhe urrejtjes online me baze fetare është problematike dhe në besimet e tjera (“katolike” dhe “ortodokse”)

Prezantimi i gjetjeve të para të dokumentit si dhe bashkëpunimi i mëtejshëm me aktorët e rëndësishëm të kësaj tryeze do të shërbejnë për të finalizuar më tej punimin studimor.

Ky dokument u prodhua si pjesë e inisiativave publike të pjesëmarrësve të “Shkollës Shqiptare të Studimeve Politike” dhe u mbështet nga Akademia e Studimeve Politike. Nëpërmjet angazhimit në këto inisiativa, synohet që objektivat e reformave të rëndësishme në vend të transmetohen tek publiku i gjerë dhe në këtë mënyrë, të sigurohet ndërgjegjësimi i duhur për rolin e gjithësecilit prej aktorëve dhe vetë publikut në zbatimin e këtyre detyrimeve dhe standardeve.

SHKARKO APP