Viti 2023 do të mbyllet me diell, nga 1 janari fillon shiu
Viti 2023 do të mbyllet me kushte atmosferike të qëndrueshme. Të shtunën dhe të dielën parashikohet mot me alternime vranësirash, por nuk do mungojnë kthjellimet e herëpashershme.
Mjegulla do të jetë prezente kryesisht përgjatë zonave luginore, që do të vazhdojë deri në orën 9-10 të mëngjesit, shpjegoi sinoptikanja Besa Sherollari, në një lidhje direkte nga Shërbimi Meteorologjik Ushtarak.
Era gjatë këtyre ditëve pritet të jetë e lehtë, me shpejtësi mesatare deri në 6 metër për sekondë, duke bërë që valëzimi si në detin Adriatik, dhe atë Jon, të jetë i ulët, me forcë 1 ballë.
Temperaturat variojnë nga -2 gradë në zonat malore deri në 15 gradë Celsius në zonat e ulëta dhe në bregdet. Pritet një ndryshim i kushteve meteorologjike, duke filluar nga data 1 janar. Pra, Viti i Ri do të na sjellë ndryshim të kushteve atmosferike.