Viti i Ri në burg, Myftinia e Tiranës shtron drekë në burgun e grave
Pak orë para ndërrimit të viteve Myftinia e Tiranës ka shtruar një drekë për gratë dhe vajzat që vuajnë dënimin në burgun 325 në Tiranë. Myftiu i Tiranës, Ylli Gurra tha se drejtësia duhet të tregohet më pak e ashpër në dënime për gratë.
Për gratë dhe vajzat e burgut 325 në Tiranë vitet do të ndërrohen në mungesë të lirisë dhe larg familjarëve të tyre. Për të rikthyer tek to shpresën në këtë ditë të fundit të vitit 2018, Myftinia e Tiranës ka zgjedhur të shtroj një drekë, t`ju dhurojë lule por edhe të përcjellë mesazhe të rëndësishme.
Ylli Gurra, Myftiu i Tiranës: Të shikohet më arsyeshëm edhe nga ligjbërësit dhe ligjvënësit për një pjesë pse jo, dënimesh që mund të jenë të rishikueshme për disa vajza apo nënë, për vepra të lehta mos dergjen në këto institucione.
Për drejtoren e burgut Elona Demollari, gratë dhe vajzat janë gjatë gjithë vitit në vëmendjen e këtij institucioni.
Elona Demollari, Drejtore e burgut 325: Qëllimi i vetëm është që këto gra të kenë mundësi të riintegrohen dhe kur të dalin ti jepet një mundësi.
Në burgun 325 të Ali Demit në kryeqytet vuajnë dënimin rreth 120 gra dhe vajza, nga të cilat 50 prej tyre ndodhen në ambientet e paraburgimit.
KOHA JONË SONDAZH

