Viti i ri, qeveria jep 10 mijë lekë për disa kategori sociale që trajtohen me ndihmë ekonomike
Këshilli i Ministrave, me rastin e festave të fundvitit ka nxjerrë një vendim, lidhur me shpërblimin e disa kategorive të veçanta për vitin 2023.
Me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe të ministrit të Financave dhe Ekonomisë, qeveria vendosi se përfitojnë shpërblim financiar për vitin 2023, në masën 10 000 lekë familjet me fëmijë të grupmoshës 0–18 vjeç, përfitues të skemës së ndihmës ekonomike, fëmijët me aftësi të kufizuara, përfitues të skemës së aftësisë së kufizuar, dhe fëmijët pa kujdes prindëror të vendosur në familje alternative.
Përfitojnë shpërblim financiar për vitin 2023, në masën 5 000 lekë, përfituesit e ndarë sipas kategorive të mëposhtme:
a) Familjet e tjera, të cilat trajtohen me ndihmë ekonomike;
b) Personat me aftësi të kufizuara;
c) individët përfitues sipas “Statusit të invalidit paraplegjik dhe tetraplegjik”;
ç) Individët përfitues të statusit, sipas ligjit “Për statusin e të verbrit”.
Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, llogariten në shumën 939 500 000 lekë dhe përballohen nga fondi i kontingjencës, miratuar për vitin 2023.
“Ngarkohet Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe Ministria e Financave dhe Ekonomisë për zbatimin e këtij vendimi”, thuhet në vendim.