Viti i ri shkollor, ministri Gonxhja në shkollën ”Gjergj Canco”: Kërkesa të larta për të gjitha drejtimet profesionale

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja ishte në shkollën profesionale Teknike Elektrike “Gjergj Canco” në Tiranë, ku këtë vit ka pasur një numër të lartë regjistrimesh: mbi 300 nxënës, duke arritur kapacitetin maksimal 1100. Gjatë vizitës në klasat dhe laboratorët e shkollës, Gonxhja tha se jo vetëm në këtë shkollë, por në të gjitha institucionet arsimore me drejtim profesional kërkesat për regjistrime kanë qenë shumë të larta.

”Sivjet kemi rekord në regjistrime në shkollat profesionale, gati mbi 10%. Janë 4400 regjistrime më shumë. Shtatori është i hapur për regjistrime. Është një trend i cili po zgjerohet dhe tregon ndonjëherë që është zgjedhja e duhur për të kaluar direkt në këto profesione. Tregu i punës ju mirëpret këtu dhe kudo, por ne do donim që të ishit këtu. Po bëjmë çfarë të jetë e mundur që tregu i punës të jetë dinjitoz. Mos të ju prese me paga të ulëta, por sa më të larta. Kemi kaq shumë kërkesa sivjet sa nuk kemi shkolla. Arsimi profesional mbetet prioritet qeveritar, kemi bashkëpunime me ndërkombëtarët, kemi regjistrime me shumë se çfarë kemi mundësi t’i përballojmë, po nisim investimet në shkollat e reja, s’keni asnjë lloj kufizimi që ju ta ktheni në cilësi mësimi dhe cilësi shërbimi, sepse tregu i punës është në ditët e veta më kërkuese edhe shpresojmë edhe me paga më të larta dhe ne shpresojmë shumë që pagat të jenë reale, të larta. Po incentivojmë shumë këtë pjesë që njerëzit të kenë arsye të qëndrojnë në Shqipëri”,-tha Gonxhja.

Shkolla Teknike Profesionale “Gjergj Canco”, është e orientuar në 2 drejtime: Elektroteknikë dhe Teknologji Informacioni dhe Komunikimi. Këtë vit të ri arsimor shkolla është pjesë e sitstemit dual, projekt pilot që nis për herë të parë në 10 institucione arsimore profesionale dhe do të realizohet në bashkëpunim të ngushtë me biznesin. Në 31 shkollat profesionale të vendit do të marrin mësim mbi 15 mijë nxënës, ku 4450 janë regjistruar për herë të parë në klasë të Xl-të.

SHKARKO APP