Viti i ri shkollor, politika e ndarë në mesazhet

Sot në mbarë vendin nisi viti i ri shkollor 2020-2021 dhe ndryshe nga sezonet e mëparshme, këtë vit 480 mijë nxënësve të sistemit parauniveristar do t’u duhet të zbatojnë protokollet e veçanta të ministrisë së Shëndetësisë, në mënyrë që të shmangin përhapjen e Covid-19. Në shkollat me mbi 1000 nxënës mësimi do të alternohet në katër turne, në mënyrë që klasat të kenë një kapacitet të kufizuar nxënësish prej jo më shumë se 20 personash për klasë. Protokolli i ministrisë është kritikuar nga opozita e cila ka kërkuar më shumë garanci për hapjen e shkollave, garanci që nga qeveria është deklaruar disa herë se është marrë.

Dita e parë e shkollës ka marrë vëmendjen kryesore të udhëheqësve politikë të vendit, të cilët përmes saj u përpoqën të përcjellin sërish qëndrimet e tyre. Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta përcolli në facebook një mesazh të gjatë në qendër të së cilit ishte rëndësia e shoqërisë për arsimimin e të rinjve dhe frenimin e largimit të tyre nga vendi. ”Sot shoqëria shqiptare nis një rrugëtim tjetër të ri drejt dijes dhe ndërtimit të një të ardhmeje të ndritur, që mund të jetë e tillë vetëm nëse garantohet edukimi cilësor i brezit të ri. Investimi më i madh për shoqërinë është arsimimi i duhur i rinisë”,- u shpreh Presidenti teksa kujtoi domosdoshmërinë e respektimit të rregullave anti-Covid në mjediset e brendshme.

Kryeministri Edi Rama uroi shkurtimisht në facebook nxënësit dhe mësuesit për një vit të mbarë, “pikësëpari me shëndet dhe patjetër edhe me rezultate sa më të mira”. Urimin ai e bëri duke e shoqëruar me foto të sinjalistikës së vendosur në shkolla për sigurimin e distancës fizike anti-covid.

Të dielën, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, pati uruar gjithashtu nxënësit dhe mësuesit. Në urimin e tij Basha nuk harroi pa akuzuar qeverinë për “masa gjysmake në sigurimin dhe mbarëvajtjen e procesit mësimor”.

“Refuzimi i qeverisë për të testuar mësuesit e bën edhe më shqetësues dhe të paqartë për të gjithë ne nisjen e vitit të ri shkollor. Në kushtet aktuale të fillimit të procesit mësimor, askush nuk e di sa prej stafit pedagogjik mund të jenë prekur nga virusi, sa mund ta kenë kaluar në kushte asimptomatike ose me simptoma te lehta por që nuk kanë pasur mundësi të kryejnë testin”, u shpreh Basha. Të hënën Basha uroi sërish, kësaj here duke shmangur kontekstet politike dhe duke apeluar vetëm për respektimin e masave anti-Covid.

Shqetësime të ngjashme me ato të përcjella të dielën nga Basha, ndau në urimin e saj edhe kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi. Në një postim në Facebook Kryemadhi tha se në takime të shumta me të rinj, nxënës, mësues dhe prindër kishte ndjerë shqetësime për problemet e përgjithshme të sistemit, pasojat e tërmetit të 26 nëntorit, por dhe për protokollet “jo-efikase anti-Covid”. “Të nënvlerësuar nga qeveria, mësuesit e Shqipërisë janë lënë të vetëm në përballimin e sfidave të këtij viti të ri shkollor, mes kushteve të pafavorshme të punës, pagave shumë të ulëta krahasimisht me kontributin e tyre dhe protokolleve jo efikase anti-Covid-19”,- tha Kryemadhi.

SHKARKO APP