Viti i ri shkollor, Shahini: Dy javët e para do të jenë përsëritje
Ministrja e Arsimit, Besa Shahini, ka vijuar takimin me drejtuesit e Drejtorive dhe Zyrave të Arsimit Parauniversitar në lidhje me masat e ndërmarra për fillimin e vitit të ri shkollor 2020-2021.
Në videon e publikuar nga takimi, Ministrja Shahini shprehet se është bërë një riorganizim i planeve mësimore që dy javët e para të fillimit të vitit të ri shkollor të jenë prapë përsëritje për të gjithë nxënësit, të cilët kanë marrë mësim në kushte shtëpie gjatë pranverës së këtij viti, por të cilët ndoshta nuk ndihen ende me vetëbesim të plotë që i kanë marrë mësimet në mënyrën e njëjtë sikur të ishin në shkollë.
Paralelisht, me gjithë përgatitjen për hapjen e shkollave, Shahini nënvizon se ”ne kemi bërë edhe gjithë ndërtimin e platformës për mësimin online dhe organizimin e punës për mësim në kushte shtëpie”, ndërsa nënvizon faktin se kjo do të ndihmojë sidomos në zonat ku ndoshta shkollat nuk mund të punojnë me orar të plotë për të gjithë nxënësit dhe nxënësit duhet të bëjnë mësim të kombinuar, një pjesë të kohës ta kalojnë në shkollë dhe një pjesë të lëndëve apo disa ditë të bëjnë mësim në kushte shtëpie.
”Shpreson që kjo gatishmëri për t’u kthyer në shkollë, të vijë edhe me një rritje të përgjegjshmërisë nga të gjithë pjesëmarrësit në shkollë që të përgatiten sa më shumë që është e mundur për ta ruajtur shëndetin e vet, si dhe shëndetin e atyre që i kanë përreth, si në shkollë, bashkëmoshatarët e tyre dhe mësuesit, apo edhe kur të kthehen në shtëpi, anëtarët e familjes”.