Viti shkollor/Shahini: Nuk përfundon më herët, kurse provimet e maturës…
Nxënësit dhe studentët këto ditë të izolimit kanë lexuar dhe lajme jo të sakta. Për të disatën herë, Ministrja e Arsimit, Besa Shahini ka deklaruar se ky vit shkollor do të mbyllet në të fund të viti akademik. Përmes një video-mesazhi ku iu përgjigj disa pyetjeve, Shahini adresoi edhe një shqetësim në lidhje me një video të rreme, e cila ka qarkulluar kohët e fundit dhe ka krijuar përshtypjen se viti shkollor “gjoja do të përfundojë më herët”. “Që të mos kemi dilema, viti shkollor mbyllet në fund të vitit akademik, në fund të semestrit të tretë, dhe shpresojmë vetëm që nuk do të jemi të detyruar të shtyjmë datat e përfundimit të vitit shkollor, të shtyjmë datat e maturës”.
Nga ana tjetër, e pyetur nëse mësimi do të vijojë online nëse shkollat nuk do të hapen më 6 prill, ministrja Shahini tha se mësimi online do të vijojë deri sa situata të kthehet në normalitet. Shpresojmë tha Shahini, që të jetë 6 prilli, por ky vendim do të merret nga task forca e ngritur për koronavirusin.
“Ne po përgatitemi që të vazhdojmë me xhirimet e leksioneve edhe për javët pas 6 prillit, përkundër që nuk është marrë ende vendimi nga Task Forca për koronavirusin nëse shkollat do të qëndrojnë mbyllur përtej datës 6 prill apo jo. Pra nga mesi i javës që vjen, ne do të shohim situatën, do të marrim parasysh risqet dhe do të marrim një vendim për hapjen ose jo të shkollave me datën 6 prill”. Në fund, Shahini shpresoi që provimet e Maturës Shtetërore të mos shtyhen.