Vizioni 2030, ministrja Denaj në Vjenë: Universiteti prestigjioz europian në Shqipëri
Universiteti i Burimeve Natyrore dhe Shkencave të Jetës, Vjenë (BOKU) është tashmë një partner strategjik i Universitetit Bujqësor të Tiranës që do të shërbejë si një model orientues për objektivat, veçanërisht në drejtim të ndërkombëtarizimit të strukturave dhe ofertës akademike.
Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj dhe rektori i Universitetit Bujqësor të Tiranës, Fatbardh Sallaku, zhvilluan një takim të rëndësishëm me Prof. Eva Schulev-Steindl, rektore e Universitetit BOKU, në Vjenë, ku diskutuan modalitetet dhe hapat e fundit para firmosjes së projektit të bashkëpunimit BOKU-UBT 2030.
Denaj tha se gjatë takimit u diskutua rreth zhvillimeve të tregut të punës dhe përpjekjes së universiteteve, por dhe politikbërësve për t’i ofruar të rinjve në Shqipëri diploma me vlerë për punësim sipas nevojave që diktojnë tregjet globale.
Ky projekt unikal reformimi dhe ndërkombëtarizimi e bën UBT Universitetin e parë në vend që projekton të ardhmen e tij me modelin e një ndër universiteteve më të mira në Evropë me një histori suksesi mbi 150 vjeçare në bujqësi, mjedis, bioteknologji, shkenca pyjore, ekonomi dhe zhvillim rural.