Vizioni i Këlliçit për fshatin: Mbështetje financiare, 15 tregje të gjelbërta në Tiranë

Gjatë takimit me banorë të Petrelës, kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë“, Belind Këlliçi shpalosi programin për bujqësinë, që përfshin subvencione deri në 10 mijë euro, mbështetje me naftë për punimin e tokës, ndërtim tregjesh apo dhe kredi, me interesa që mbulohen nga Bashkia, për fermerët e Tiranës që investojnë në bujqësi.

Ai tregoi edhe kostot që ka ky plan, për të cilin tha se do t`ju vijë në ndihmë fermerëve të 140 fshatrave në kryeqytet. Këlliçi shtoi se transporti falas nuk do të jetë një shërbim vetëm për banorët e qytetit, por edhe për ata të zonave rurale.

“Kemi menduar një paketë mbështetëse për të gjithë fermerët. 10 mijë euro mbështetje në bazë materiale për çdo fermer që kërkon të nisë një biznes të ri në fshat, në blegtori, në bujqësi. Në frutikulturë, në agrokulturë, në bletari në agroturizëm për të prodhuar produkte ushqimore për Tiranën, që do të thotë: 6-8 lopë rrace, 50-60 dele të rracës, 1 mijë pula apo zogj për mish, 100 mijë rasate trofte për rezervuar, vlerën e imputeve dhe fidanëve për të mbjellë për sipërfaqe më të mëdha se 0.1 hektarë, me 10 ha, kufij të sipërm, ne do të subvencionojmë deri në 2500 euro në vit.

Subvencion 100% me karburant për punimin e sipërfaqeve deri në 1 hektarë por jo më të vogla se 0.1 hektarë. Mbështetje për produktet “Made In Tirana”, të prodhuara në Tiranë. Subvencionim deri në 70% të kostove të produktit për të gjitha prodhimet blegtorale, bulmetore “Made in Tirana” që kanë destinacion tregun e Tiranës. Subvencionim deri në 50% të kostove të produktit për të gjitha prodhimet në frutikulturë, akuakulturë “Made in Tirana” që kanë destinacion tregun e Tiranës.

Ngritjen e të paktën 15 tregjeve të gjelbërta në Tiranë, sipas standardeve më të mira të sigurisë ushqimore. Zero taksa bashkiake për të gjithë fermerët që do shesin prodhimet “Made in Tirana” në tregjet e gjelbërta të bashkisë Tiranë. Për ata që do certifikojnë organikisht prodhimet e tyre do të mbulojmë shpenzimet deri në 50%. Për fermerët që do të marrin hua në bankë për investime në agrikulturë apo agroturizëm në infrastrukturë, për kredi deri në 30 mijë euro do të japim kredi me inters zero sepse bashkia do të mbulojë interesin e kredisë pranë bankës përkatëse ku do të aplikohet për kredi”.

 

SHKARKO APP