Vizitë në Policinë e Shtetit. Ardi Veliu pret në takim kreun e Xhandarmërisë Mbretërore të Holandës
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, priti në një takim Drejtuesin e Xhandarmërisë Mbretërore të Holandës, Gjeneralin Laurent Hendrix.
Veliu dhe Hendrix vlerësuan marrëdhëniet e mira mes Policisë së Shtetit, Xhandarmërisë dhe Policisë holandeze.
Gjatë takimit u konfirmua gatishmëria e përbashkët për të bashkëpunuar kundër krimit të organizuar, kontrabandimit të qenieve njerëzore dhe lufta kundër trafikimit të lëndëve narkotike.
U dakordsua që bashkëpunimi në të ardhmen do të konkretizohet me hetime të përbashkëta, shkëmbim informacioni në kohë reale, sepse vetëm kështu mund të arrihet suksesi.
Kreu i Xhandarmërisë Mbretërore të Holandës përgëzoi Veliun për arritjet e Policisë së Shtetit, duke e falënderuar për punën e bërë në drejtim të parandalimit dhe uljes së numrit të azilkërkuesve shqiptarë në Holandë.
Drejtor Veliu garantoi gjeneralin Hendrix se Policia e Shtetit ka forcuar masat, si në pikat e kalimit kufitar, gjatë intervistimit të shtetasve për arsyet e lëvizjes në hapësirën SCHENGEN, ashtu edhe masat në kufirin e gjelbër.
Gjithashtu, Veliu theksoi se tashmë Policia e Shtetit është më profesionale, e besueshme për partnerët dhe kjo konfirmohet nga operacionet e përbashkëta, pothuaj të përjavshme me ta, në luftën kundër individëve dhe grupeve kriminale që ushtrojnë veprimtari në fushën e narkotikëve, kontrabandimit të qenieve njerëzore, krimeve ndërkufitare dhe falsifikimeve të dokumenteve.
Veliu dhe Hendrix, në mbyllje të takimit konfirmuan edhe njëherë gatishmërinë për të bashkëpunuar, pasi qëllimi është i njëjtë për të dyja palët.