Vjedhja e energjisë, 49 persona të arrestuar, 21 në Tiranë

“Operacioni u shtri në disa zona të kryeqytetit, të evidentuara më parë si zona problematike në drejtim të abuzimit me energjinë elektrike.

Grupet hetimore të ngritura për këtë qëllim, duke koordinuar punën me punonjësit e Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, mundësuan arrestimin e 21 personave, të cilët u kapën në kushtet e flagrancës me lidhje të dyta apo duke vjedhur energji.

Në prangat e policisë ka rënë edhe një punonjës i OSHE me detyrë faturist. Ali Malaj punonjës i Drejtorisë Rajonale Tiranë Njesia Nr.3, me detyrë faturist është arrestuar për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”.

Gjatë procedimit të shtetasve të lartëpërmendur në çdo rast janë kryer veprimet procedurale për të dokumentuar faktin e vjedhjes, duke kqyrur vendin e ngjarjes si dhe kryejen e ekspertimeve të ndryshme sipas proçedurës dhe rrethanave të ndodhura”, u shpreh Cipa.

Arben Seferi, kreu i operatorit të Shpërndarjes së Energjisë tha se aksioni është fokusuar tek bizneset dhe më pas do të shtrihet edhe tek konsumatori familjar.

Ashtu siç eshte paralajmëruar më herët edhe nga kryeministri Edi Rama, por edhe nga ministri i Energjise Gjiknuri gjatë kësaj të martë, fillimisht do të monitorohen dhe ndëshkohen bizneset dhe entet shtetërore që kanë abuzuar me energjinë, e më pas konsumatorët familjarë dhe nuk do të kursehet askush, pasi në bazë të ndryshimeve ligjore vjedhësit e energjisë rrezikojnë të dënohen deri me tre vjet burg.

Operacioni është shtrirë në të gjithë Shqipërinë, ndërkohë që për opozitën, e cila reagoi edhe këtë të martë permes deputetit Eduart Halimi, gjithçka nuk është gjë tjetër veçse terror dhe presion qe Edi Rama po bën ndaj qytetarëve, duke vendosur në zbatim modelin e tij për shtet policor.

Tahiri e Gjiknuri takim me 12 drejtorët e policisë dhe OSHEE

Ndërkohë rreth orës 20:40 të mbrëmjes, Ministrat Tahiri dhe Gjiknuri kanë zhvilluar një takim me 12 shefat e policisë dhe OSHEE në të gjithë vendin.

Mësohet se takimi është thirrur nga Ministri i Brendshëm, me qëllim kordinimin e aksionit kundër vjedhjes së energjisë elektrike.

 

Bilanci i të martës , 49 arrestime, 21 në Tiranë

Gjatë ditës së sotme nga strukturat e Policisë së Shtetit është mbështetur OSHEE në 283 raste.

Pas kontrolleve të ushtruara deri në orën 19:00 të ditës së sotme është marrë masa e arrestit në flagrancë ndaj 49 personave, kryesisht pronarë të subjekteve të biznesit, të cilët akuzohen për vjedhje të energjisë elektrike, si dhe janë shpallur në kërkim 7 persona.

• Nga Drejtoria e Policisë së Qarkut Tiranë janë arrestuar në flagrancë 21 pronarë të bizneseve të ndryshme, të cilët janë konstatuar që kryenin vjedhje të energjisë, si dhe janë shpallur në kërkim 4 të tjerë pronar të subjekteve të biznesit.

• Nga Drejtoria e Policisë së Qarkut Fier janë arrestuar 5 persona, pronarë të subjekteve të biznesit
• Nga Drejtoria e Policisë së Qarkut Lezhë janë arrestuar 6 persona
• Nga Drejtoria e Policisë së Qarkut Durrës është arrestuar 1 person
• Nga Drejtoria e Policisë së Qarkut Kukës është arrestuar 1 person
• Nga Drejtoria e Policisë së Qarkut Berat është arrestuar 1 person
• Nga Drejtoria e Policisë së Qarkut Korçë është arrestuar 1 person
• Nga Drejtoria e Policisë së Qarkut Elbasan janë arrestuar 2 persona
• Nga Drejtoria e Policisë së Qarkut Shkodër janë arrestuar 3 persona
• Nga Drejtoria e Policisë së Qarkut Dibër është arrestuar 1 person
• Nga Drejtoria e Policisë së Qarkut Vlorë janë arrestuar 5 persona
• Nga Drejtoria e Policisë së Qarkut Gjirokastër janë arrestuar 2 persona

Ndërkohë vijon kryerja e veprimeve procedurale për rastet e tjera të konstatuara nga strukturat e policisë.

Po kështu, gjatë ditës së sotme është arrestuar nga Drejtoria e Policisë së Qarkut Tiranë një faturist dhe nga Drejtoria e Policisë së Qarkut Fier janë arrestuar 1 inxhinier dhe 1 elektricist nën akuzën e konsumimit të veprës penale të shpërdorimit të detyrës.

SHKARKO APP