“Vjedhja me dhunë në karburant”. Në pranga pronari dhe menaxheri i firmës
Një grabitje me dhunë ndodhi ditën e djeshme në autostradën Tiranë-Durrës, që rezulton të jetë inskenuar nga vetë menaxheri i karburantit, i identifikuar si G. Farruku, 23 vjeç.
Ai kishte humbur paratë duke luajtur lojëra fati dhe kishte simuluar ngjarjen me qëllim justifikimin e shumave të mëdha të parave të xhirove ditore, njofton policia. Përveç Farrukut, është arrestuar edhe pronari i lokalit Arsid Haxhija, 22 vjeç, që organizonte lotari të palejuara.
Nga hetimet e kryera dhe mbledhja e të gjitha provave procedurale është konstatuar se në momentin e vjedhjes një person i maskuar ka zbritur nga një mjet dhe i ka vjedhur me dhunë xhiron ditore Farrukut.
Në vijim të hetimeve ka rezultuar se 23-vjeçari për një periudhë 2-mujore ka vjedhur sistematikisht kompaninë ku ai punon duke deklaruar shuma më të vogla se fitimi. Shumën e lekëve të përfituara nga mosdeklarimi, e ka luajtur në lotari të palejuara në lokalin e A. Haxhijës.
Menaxheri i firmës, dyshohet se e ka organizuar vjedhjen për të larë borxhet që ka pasur në loto. Nga ana e grupit hetimor vijon puna për identifikimin e personave të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme për veprën penale “Vjedhja e kryer duke shpërdoruar detyrën” në ngarkim të Gert Farrukut dhe “Organizimi i lotarive të palejuara” në ngarkim të shtetasit A. Haxhija. TCH