Vjedhje, mashtrim e dhunë në familje, policia e Korçës iu vë prangat tre të kërkuarve
Gjatë orëve të fundit policia e Korçës ka arrestuar tre shtetas në kërkim për veprat penale “Vjedhja e kryer më shumë se një herë”, “Mashtrimi” dhe “Dhuna në familje”.
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatet e Policisë Maliq dhe Korçë, bënë ekzekutimin e urdhrit të Prokurorisë të Rrethit Gjyqësor Korçë, për ndalimin e shtetasit K. P., 21 vjeç, banues në Maliq (i dënuar më parë për “Vjedhje”).
Ndalimi i tij u bë pasi nga veprimet hetimore të kryera dhe provat e grumbulluara, dyshohet se ky shtetas është autor i 11 vjedhjeve, ngjarje të ndodhura dy muajt e fundit në qytetin e Maliqit dhe të Korçës, ku në banesa dhe dyqane të qytetarëve janë vjedhur sasi lekësh, pajisje elektroshtëpiake, artikuj ushqimore, veshje, si edhe një sasi nafte nga kaldaja e një shkolle në Maliq.
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Korçë, bënë ndalimin e shtetasit K. M., 41 vjeç, banues në fshatin Kallamas, Pustec, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Korçë me vendimin e datës 14.06.2020, e ka dënuar këtë shtetas me 4 muaj burg për veprën penale “Dhuna në familje”.
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Pogradec, bënë ndalimin e shtetasit në kërkim D. M., 37 vjeç, banues në Pogradec, pasi Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Pogradec me vendimin e datës 03.07.2020, ka urdhëruar ndalimin e këtij shtetasi (me detyrë avokat) pasi dyshohet se i ka përvetësuar shtetasit A. X., nëpërmjet mashtrimit, një sasi prej 75000 lekë.
Materialet në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorive të Rretheve Gjyqësore Korçë e Pogradec për veprime të mëtejshme.