Vjen dosja penale nga Greqia ndaj dy të arratisurve nga burgu i Trikallas

Autoritetet e drejtësisë greke transferojnë në Shqipëri dosjen penale ndaj të arratisurve të burgut të Trikallas.

Ilir Kupa e Fatos Sulaj, janë dy nga të arratisurit e arrestuar në Shqipëri, të cilët pasditen e së premtes dolën para Gjykatës së Krimeve të Rënda për t’u njohur me akuzat e ngritura nga drejtësia greke. Sipas dosjes volumnioze të ardhur nga Greqia, Kupa dhe Sulaj akuzohen për krijimit të grupit të strukturuar kriminal për t’u arratisur nga burgu dhe “vrasje të mbetur në tentativë” ndaj dy punonjësve të burgut. Për këto akuza janë shpallur në kërkim edhe dy shtetas të tjerë shqiptar, të cilët ende nuk janë arrestuar nga drejtësia greke dhe as ajo shqiptare.

Mësohet se Kupa e Sulaj para gjykatës kanë pranuar faktin penal të arratisjes por kanë mohuar se ka qenë ata personat që kanë qëlluar me armë ndaj gardianëve të burgut të sigurisë së lartë më 23 mars 2014 në Trikalla të Greqisë. Të pandehurit kërkuan nga Gjykata që akuza shqiptare të kërkoi llogari për vrasjen e shokëve të tyre nga policia greke. Avokatët e tyre mbrojtës, kundërshtuan akuzën e grupit të strukturuar kriminal, duke pretenduar se janë të sajuara nga drejtësia greke.

Ata i thanë gjykatës, se klientët e tyre janë përndjekur për disa ditë nga policia greke për t’i ekzekutuar dhe fal kalimit në Shqipëri ata i kanë shpëtuar vdekjes.

Prokurorët pavarësisht pretendimeve të mbrojtjes, lexuan kronologjinë e ngjarjes së arratisjes më 23 mars 2014. Akuza pretendon se 11 shtetas shqiptarë, mes tyre edhe Kupa e Sulaj u arratisen nga burgu i sigurisë së lartë, duke qëlluar me armë ndaj gardianëve të burgut. Katër nga të arratisurit janë arrestuar, kurse 3 të tjerë janë vrarë gjatë shkëmbimit të zjarrit me policinë, 2 ende janë në kërkim ndërsa Kupa dhe Sulaj janë arrestuar në Shqipëri.

SHKARKO APP