Vjosa Osmani kërkoi heqjen e masave. Von der Leyen në Kosovë: Duhet ende punë
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka thënë se duhet punuar për hapat e mëtejshëm që të arrihet në një pikë ku shtetet anëtare të Bashkimit Evropian të binden për heqjen e masave ndaj Kosovës.
Në një konferencë për media të shtunën në Prishtinë me presidenten Vjosa Osmani, Von der Leyeni ka shtuar se bashkë me udhëheqësit e Kosovës janë të përkushtuar për t’i arritur këto qëllime. Ka vlerësuar si hap pozitiv hapjen e Merdarit për kalimin e mallrave serbe.
“Është shumë e rëndësishme të punojmë së bashku, dhe ne kemi mirëpritur hapjen e kufirit dhe avancimin në CEFTA dhe pas kësaj duhet të punojmë për hapa të mëtejshëm që të arrijmë në një pikë ku mund të hiqen masat dhe kjo do të ndihmojë të binden shtetet anëtare – pasi siç e dini të gjitha shtetet anëtare duhet të jenë dakord për heqjen e masave. Ne të dyja (Von der Leyen & Osmani) jemi të përkushtuara të gjejmë hapat e nevojshëm për të arritur këto qëllime. E rëndësishme ta shohim Kosovën si partneren tonë dhe ta bëjmë të mundur rrugën e Kosovës drejt BE-së”, ka thënë ajo.
Kosova është nën masat e BE-së që nga qershori i vitit të kaluar pas trazirave në veri me kryetarët shqiptarë – për të cilën ndërkombëtarët fajësuan Qeverinë Kurti se nuk ndërmori hapa për ta shtensionuar situatën.
Në konferencë, Von der Leyeni ka theksuar se zgjerimi do të jetë në krye të agjendës në mandatin e dytë si presidente e KE-së dhe se është e përkushtuar që vendeve të Ballkanit Perëndimor t’u sigurojë të gjitha mjetet e nevojshme për anëtarësim në BE.
“E di që viteve të fundit Kosova ka punuar shumë për ta përforcuar demokracinë dhe sundimin e ligjit dhe dua t’iu siguroj juve dhe Kosovës se në mandatin e tim të dytë zgjerimi do të jetë në krye të agjendës. Për mua është njëra prej projekteve më të mëdha. Për këtë arsye do të punojmë bashkë që të vazhdojmë tutje sepse jam e përkushtuar për një të ardhme ku të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor t’i kenë të gjitha mjetet dhe instrumentet e nevojshme që ta bëjmë këtë realitet”, ka deklaruar ajo.