Vlahutin: Vendet e Ballkanit Perëndimor përdoren për stërvitjen e xhihadistëve

Ambasadorja e Bashkimit Europian në Tiranë, Romana Vlahutin, shprehu nevojën e bashkëpunimit mes të gjitha vendeve në luftën kundër ekstremizmit fetar.

Duke marrë fjalën në konferencën e organizuar nga Ministria e Brendshme “Radikalizmi fetar dhe ekstremizmi i dhunshëm në Shqipëri”, Ambasadorja nënvizoi se feja nuk mund të përdoret nga radikalët për sulme të dhunshme.

Ajo kërkoi që të vlerësohet seriozisht ky problem i rëndësishëm, ndërsa theksoi nevojën e ndryshimit të legjislacionit dhe të koordinimit mes institucioneve shtetërore, komuniteteve fetare dhe medias.

"Edhe ndërkombëtarët duhet të tregohen më aktivë në këtë drejtim, e të mos jenë indiferentë, pasi radikalizmi është një fenomen global.

Një numër i madh qytetarësh të shteteve perëndimore kanë shkuar të luftojnë në Irak e ky numër sa vjen e rritet”, u shpreh diplomatja e BE-së.

Vlahutin vuri në dukje se shtetet e Ballkanit Perëndimor përdoren si vende ku ekstremistët stërviten dhe përgatiten për luftë, ndaj lypset një bashkëpunim shumë i gjerë dhe serioz mes të gjithëve në rajon.

Ambasadorja tha se edhe BE ka një strategji të sajën të implementuar vite më parë në luftën kundër terrorizmit.

“Ballkani Perëndimor është treguar deri diku i pamundur që të menaxhojë këtë situatë të krijuar, por Bashkimi Europian është i gatshëm ta ndihmojë Shqipërinë dhe rajonin në këtë luftë të përbashkët”, u shpreh Vlahutin.

I pranishëm në konferencën “Radikalizmi Fetar dhe Ekstremizmi”, ministri i Mirëqënies Sociale dhe Rinisë, Blendi Klosi, gjatë fjalës së tij nënvizoi rëndësinë e bashkepunimit të komuniteteteve fetare me qeverinë.

Duke iu referuar përmbytjeve të zonat jugore të Shqipërisë, Klosi tha se“komunitetet fetare ishin një dëshmi e gjallë për mënyrën sesi komunitet fetare ishin të gjithë së bashku me institucionet shtetërore, së bashku me komunitetin e biznesit për të targetuar ato grupe njerëzit dhe familje në nevojë, për t’i dhënë mbështetje sociale”.

Klosi shpjegoi një tjetër dimension, që sipas tij, është promovimi i vlerave të komuniteteve fetare.

“Ministria e Mirëqënies Sociale dhe Rinisë, luftën kundër radikalizmit dhe ekstremizmit e ka parë si një tërësi komplekse të Institucioneve, në rradhë të parë në mbështetje të komuniteteve fetare, veçanërisht të komunitetit mysliman.

Ne promovojmë vlerat që këto komunitete mbartin duke i dhënë atyre vlerë të përbashkët dhe gjithëpërfshirëse.

Qeveria shqiptare jo vetëm që nuk i ka reduktuar fondet për komunitetet fetare, por brenda mundësive i ka rritur ato”.

Mënyra e vetme për të luftuar ekstremizmin, sipas ministrit Klosi, është promovimi i tolerancës fetare në Shqipëri.

“Nëpërmjet komitetit të kulteve kemi organizuar aktivitete të përbashkëta, së bashku me komunitetet fetare. Ne besojmë se nëpërmjet vlerave do të luftojmë ekstremizmin, sepse bashkjetesa fetare dhe harmonia fetare është treguesi më i qartë i vlerave që ne kemi. Leja për ndërtimin e xhamisë në qendër të Tiranës, është është treguesi më i mirë, që qeveria shqiptare jo vetëm mbështet institucionet kryesore të kultit në vendin tonë, por edhe promovon tolerancën fetare”, theksoi ai.

Ndërsa, kryetari i Komunitetit Mysliman Shqiptar, Skënder Bruçaj, tha se njerëzit duhen ndërgjegjësuar për pranimin e diversitetit.

“Jemi munduar të ndërgjegjësojmë qytetarët dhe po përpiqemi të luftojmë e parandalojmë bindjet që mund të çojnë njerëzit drejt ekstremeve. Ndërgjegjësimi i individëve për pranimin e diversiteteve është i rëndësishëm”, u shpreh kreu i Komunitetit Mysliman.

SHKARKO APP