Vlerësimi i punonjësve socialë, 173 nuk u kualifikuan

 

Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, me nismën e ministrit Blendi Klosi, përfundoi procesin e vlerësimit të njohurive dhe aftësive të të gjithë punonjësve të institucioneve të përkujdesit social publik në nivel vendor dhe qendror.

Vlerësimi i njohurive dhe aftësive të personelit në institucionet e përkujdesit social publik u realizua nëpërmjet vlerësimit me shkrim, i cili zuri 70% të vlerësimit total bazuar në programin e publikuar dhe intervistimit me gojë, i cili zuri 30% të vlerësimit në total.

Lidhur me rezultatet e vlerësimit, në total morën pjesë 557 punonjës të institucioneve të përkujdesit social publik që ofrojnë shërbime për fëmijët në nevojë, fëmijët me aftësi të kufizuara, të moshuarit, viktimat e trafikimit, viktimat e dhunës në marrëdhëniet familjare, ku 384 punonjës janë kualifikuar dhe 173 punonjës nuk janë kualifikuar.

Në zbatim të legjislacionit në fuqi për punonjësit që nuk janë kualifikuar, Ministria Mirëqënies ka sqaruar se ata do të rivlerësohen në muajin janar 2016.

Këto pozicione pune do të konsiderohen vakante dhe vlerësimi do të jetë i hapur jo vetëm për 173 punonjësit ekzistues, por edhe për të gjithë personat e interesuar për t’u punësuar në institucionet e përkujdesit social publik. Nëse përsëri 173 punonjësit aktualë nuk do të kualifikohen, ata automatikisht do të largohen nga vendi i punës dhe do të zëvendësohen me ata që do të kualifikohen në vlerësimin e muajit janar 2016.

Ministria bën me dije se ky vleresim tregoi mangësitë dhe nevojat e çdo punonjësi, për të cilët do të merren masa konkrete për edukimin e vazhdueshëm dhe trajnimet e detyrueshme që duhet të kryejnë për përmirësimin e cilësisë së shërbimit.

SHKARKO APP