Vlonjati kapet duke transportuar 12 shtetas të huaj në Elbasan, prangoset nga policia
Policia njofton se ka arrestuar një shtetas nga Vlora, që transportonte 12 shtetas të huaj në afërsi të qytetit të Elbasanit.
Sipas policisë, në pranga ka rënë 33-vjeçari E.Ç, që u arrestua nën akuzën e “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufirit”.
Njoftimi i policisë:
Elbasan
Goditet një tjetër rast i veprimtarisë kriminale në fushën e dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit.
Vihet në pranga një 33-vjeçar, pasi u kap në flagrancë duke transportuar 12 shtetas të huaj nga vendet e treta.
Në zbatim të detyrave të përcaktuara në planin e masave të hartuar nga DVP Elbasan, për të parandaluar dhe goditur aktivitetin e paligjshëm të dhënies ndihmë shtetasve të huaj për kalim të paligjshëm të kufijve dhe tranzitimin e tyre në territorin shqiptar, me destinacion vendet e BE-së, specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në DVP Elbasan, pas informacioneve të marra në rrugë operative se një shtetas po transportonte nga Korça disa shtetas nga vendet e treta, me qëllim dhënien ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit 100€ për person, kapën dhe arrestuan shtetasin:
E.Ç., 33 vjeç, banues në Vlorë. Arrestim i tij u bë pasi në aksin rrugor Librazhd-Elbasan u kap nga shërbimet e Policisë duke transportuar me mjetin e tij 12 shtetas të huaj.
Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës Parë Elbasan, për veprë penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufirit”.