Vlora e Kukësi në luftë me flakët, Çako: Nuk ka qendra të banuara të rrezikuara
Kreu i Emergjencave Civile, Haki Çako, thotë se qarqet më problematike nga zjarret janë Vlora dhe Kukësi, por shtoi se situata është nën kontroll dhe nuk ka qytetarë apo qendra të banuara të rrezikuara.
“Vijon operacioni me helikopterin holandez dhe Forcat e Armatosura në terren, shpresojmë ta finalizojmë sa më shpejt. Janë dy qarqe me probleme serioze, Vlora dhe Kukësi në Majën e Rrunës dhe në zonën e Malit të Zi. Ka forca të shumta zjarrfikëse dhe vijon puna. Situata është nën kontroll, nuk ka qytetarë apo qendra të banuara të rrezikuara. Operacioni do të vijojë deri në eliminimin e vatrave”,-tha për ”A2cnn”.
Për të një pjesë e këtyre zjarreve kanë qenë me tendenca kriminale, dhe në këto kushte, sipas tij, kërkohen ndryshime në Kod për sanksione më të rënda për zjarrvënësit.
“Faktorët janë kompleksë, por ka tendenca të tjera kriminale dhe qëllime pastrimi e djegie të kullotave. Ka informacion që individë apo persona me dashje por i mbetet për hetim të mëtejshme organeve ligjzbatuese, se pjesë e këtyre zjarreve kanë qenë me tendenca kriminale, në distanca që nuk lidheshin e ato ku kemi operuar. Në këto kushte ne do të vlerësojmë çdo iniciativë ligjore për të sugjeruar sanksione në kod për zjarrvënie, se sjellin pasoja për ekonominë dhe fermerët shqiptarë. Në këto kushte do të merret në konsideratë sugjerimi për sanksione. Ne disponojmë informacione nga persona të caktuar për të zbardhur iniciativën dhe skemën për grupin e strukturuar”.