Vlora nuk është në ditën e saj më të mirë

 

Shumë pyetje mund të bëja sot, por njëra prej tyre më duket kryesorja: Si është Vlora sot?
Më pak turistike se kurrë, do të ishte përgjigjia e castit. Për herë të parë në 25 vite demokraci, sezoni turistik nuk u cel të shtunën e dytë të majit, sic ishte tradita.
Në lagjet e Vlorës mbajnë cizme me vete sa herë fillon të pikojë shi. Përmbytjet janë një gjë e zakonshme, dhe banorë të disa lagjeve jetojnë me frikën e epidemive: ujrat e zeza në shumë rrugë i sheh në sipërfaqe.Në fshatra punët janë edhe më keq, vazhdojnë të jenë të përmbytur, tashmë jo më nga Vjosa por nga Varfëria.Në Shushicë kam takuar Sebire Avdirajn e cila u fut në dyqanin e fshatit me katër vezë. I kërkoi shitëses t’ia këmbente me një kg sheqer. I duhej edhe një vezë tjetër që kursi i këmbimit sheqer-vezë të barazohej.

Unë e di se probleme të ngjashme nuk i ka vetëm Vlora, sic di se ato nuk janë akumuluar në një ditë.

Por, di një gjë që e dini edhe ju, e dinë të gjithë vlonjatët : asnjëherë shpresa nuk ka qenë më e vakët se sot. Di, gjithashtu se kryeministri Rama po shkon cep më cep të Shqipërisë duke u kërkuar njerëzve që të mos i votojnë kandidatët demokratë sepse ata, thotë ai ‘nuk i duhen gjë as dreqit’.
Apo, duke i kërcënuar shqiptarët se vota do t’u shkojë dëm, sepse nuk do të bashkëpunojë me ju, kryetarët e ardhshëm të bashkive. Më ka vënë në mendime ky qëndrim i kryeministrit, dhe gjatë takimeve të mia në Vlorën e re, që administrohet nga e majta, kam bërë disa pyetje.
Jam interesuar të di për investimet, projektet, bashkëpunimet, që kanë patur gjatë këtyre dy viteve pushtet të dyshes Rama-Meta. Kanë ngritur  supet. Kanë heshtur. Nuk kanë patur se c’projekte të më tregojnë.Dua të them, se zoti Rama, atë që nuk ua ofron dot, apo nuk don t’ua ofrojë socialistëve, nuk ka se si t’ua japë demokratëve. As të pavarurve. As të pavendosurve.
Prandaj: Mos kini frikë. Votoni alternativën tuaj!  Atë që ky Kryeministër nuk do të na e japë se nuk i don qejfi, ne dot ‘ia marrim sepse kështu thotë ligji.Nuk jemi në diktaturë, edhe psa cave u pëlqen që kështu të jetë dhe sillen si diktatorë. Nuk na ka më në dorë një njeri i vetëm dhe as një qeveri, por fryma e ligjit, diktati i tij.

Unë Zotit LIGJ do t’i drejtohem sa herë ky Kryeministër t’i ketë hipur dëshirës së Antiligjit. Dhe jam gati ta takoj këtë Kryeministër kur të jem administratori i Bashkisë së Vlorës: në zyrën time, në zyrën e tij, a kudo.  Nuk kam pse fshihem, nuk do të fshihem, sepse unë jam nga Vlora, jam vlonjat, jam lindur e rritur në Vlorë dhe përfaqësoj zërin dhe interesat e Vlorës.

Të nderuar demokratë në këtë sallë, të nderuar shqiptarë kudo që jeni, shumë të dashurit vlonjatët e mi.  Unë jam Genc Deromemaj. Jam 32 vjec. Jam inxhinier hidroteknik. Jam i biri i Abdylit, që në Vlorë e njohin edhe me emrin Atdhe, dhe i Dyzenes. Jam bashkëshorti i Anilës dhe babai i Jonit. Ime shoqe është shtatzënë dhe një javë pas fitores së 23 qershorit presim vëllanë e vogël të Jonit.I them këto sepse dua ta bëj edhe njëherë pyetjen: si është sot Vlora?
Vlora nuk është në ditën e saj më të mirë. Por unë kam një përgjigje që shikon nga e ardhmja: Vlorën do ta bëjmë ne, bijtë e bijat e saj. Do ta bëjmë Vlorën, do ta bëjmë të gjithë bashkë, do ta bëjmë sepse NE jemi Vlora. Për të ardhmen e Vlorës dhe gjithë vlonjatëve kërkoj votën tuaj me 21 Qershor.

 


Fjala e kandidatit të PD për Vlorën, Genc Deromemaj, në hapjen e fushatës elektorale, 21 Maj 2015

SHKARKO APP