Vlorë: Ekzekutohet me stil mafioz 26-vjeçari, dyshohet për hesape në Belgjikë

Festa e Fier Bajramit u përgjak në Vlorë. Një 26- vjeçar u ekzekutua me breshëri kallashnikovi pranë banesës së tij në Zonën e Ujit të Ftohtë.

Autorët djegin makinën, pista ku po hetohet-Në lagjen” 10 korriku” është gjetur një automjet tip “BMW” i shkrumbuar nga flakët.

Në brendësi të tij është gjetur dhe një armë e llojit kallashnikov, që dyshohet të jetë përdorur për të kryer atentatin.

Viktima është identifikuar si Kristjan Breshanaj, 26 vjeç, i cili tre muaj më parë ishte kthyer nga Belgjika, ku veprimtaria e të riut atje është edhe pista kryesore e hetimit.

Dyshimet janë se autorët i kanë zënë pritë dhe e kanë qëlluar nga një distancë e afërt.

Në vendngjarje u gjetën 10 gëzhoja ndërsa burimet thanë se Breshanaj ka marrë disa plumba në trup që i shkaktuan vdekjen e menjëhershme.

Nuk ndryshon skema-Autorët pas krimit janë larguar nga vendngjarja duke përdorur makinën që u gjet nga policia e djegur në rrugicat e lagjes “10 korriku”.

Brenda mjetit u gjet i djegur dhe një automatik kallashnikov që dyshohet se u përdor për krimin, skemë kjo e njohur për atentatet në qytetin bregdetar pasi djegia eleminon gjurmët dhe vështirëson punën e ekspertëve për të siguruar prova për autorët.

Disa orë pas ngjarjes mjeti u largua nga ekspertët që do të kërkojnë aty shenja të mundshme që do të çojnë në identifikimin e autorëve.

Panik te banorët-Ngjarja u shënua rreth orës 03:00 të mëngjesit në zemër të një zone të banuar, duke tronditur banorët të cilët thonë se krimi i bëri të ndjehen të frikësuar.

“Ja bëri dëm një zhurmë e madhe, nuk dola se kisha frikë.”

“Kjo rrugë mbetet problematike,për dy llamba, nuk ka ndriçim dhe përfitojnë nga kjo.”

Disa të shoqëruar-Policia e Vlorës ka shoqëruar disa persona si dëshmitarë që mund të kenë dijeni për ngjarjen por ende nuk raportohet nëse kanë arritur të identifikojnë autorët.

Kush është Kristjani? Kristjan Breshanaj rezulton person i njohur për policinë e Vlorës pasi në 23 qershor të vitit 2014 u arrestua me drogë në makinë. Gjithashtu, ai drejtonte mjetin tip ‘Volkswagen’ me targa AA 225AN pa leje drejtimi. Atehere ai u arrestua së bashku me një person tjetër për veprat penale, ”Prodhime dhe shitje të lëndëve narkotike ,si dhe ”Drejtimi i automjetit ne drejtim te parregullt”.

Mësohet se babai i tij punon si mjek në spitalin rajonal të Vlorës, mjek reanimator prej vitesh në këtë spital.

Burimi: Ora News

SHKARKO APP