Vlorë, hetohet arkëtari që futi në xhep paratë e dritave dhe nxori fshatin debitor

Një banor i fshatit Çeprat të Vlorës mendonte se ishte në rregull me OSHEE-në, pasi paguante rregullisht në postë, faturat e energjisë. Por, në mes të dimrit, dhjetorin e shkuar, elektricistët i mbinë në derë dhe ia prenë energjinë. Sipas tyre, ai i detyrohej shtetit 1 milion e 100 mijë lekë!

61-vjeçari i ka mbajtur këmbët tek Posta e Llakatundit, për të gjetur përgjigje tek arkëtari për të keqen që i ra mbi kokë, por duket se nuk e gjeti dot.

Përgjigjen në fakt e gjeti Policia e Qarkut, e cila e arrestoi arkëtarin e Postës, 46-vjeçarin Aranit Kojdheli, që paratë e çepratasit i kishte futur në xhepin e tij dhe ndoshta jo të atij vetëm.

Policia njoftoi sot se ka filluar proçedimin penal për Kojdhelin, banues në fshatin Drithas.

Gjatë vitit 2014, ky shtetas, duke përfituar nga pozicioni si punonjës në Zyrën Postare të Degës Llakatund-Vlorë, në mënyrë të vazhdueshme dhe të paligjshme, i ka vjedhur një shumë vlere monetare prej 110.000 lekë (të rinj), shtetasit me iniciale: R.I., 61 vjeç, banues në fshatin Çeprat, Vlorë, vepër penale kjo, të cilën e kryente duke përvetësuar pagesat mujore të faturave të OSHEE-së, që supozoheshin të shlyera nga shtetasi i dëmtuar, R.I.

Kojdheli po hetohet duke qënë në burg, pasi u arrestua më datë 26.12.2014, për veprën penale të "Vjedhjes duke shpërdoruar detyrën".

SHKARKO APP