VOA: A do të përfshihet SHBA drejtpërdrejtë në luftë në Lindjen e Mesme?

Prej muajsh, Presidenti Joe Biden ka paralajmëruar Izraelin që të mos lejojë që lufta në Gazë kundër Hamasit të mbështetur nga Irani, të përhapet kundër Hezbollahut në Liban dhe, edhe ndaj vetë Iranit. Por ndërsa Izraeli po lufton në Liban dhe është zotuar për hakmarrje ndaj sulmeve me raketa të Teheranit, shumë druhen se ky moment ka ardhur. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Patsy Widakuswara, i hedh një vështrim mundësisë së përshkallëzimit të mëtejshëm të konfliktit dhe mundësisë së përfshirjes së drejtpërdrejtë të Shteteve të Bashkuara në luftë.

Shpërthimet në Bejrut të mërkurën, ishin pjesë e asaj që Izraeli thotë se janë sulme ndaj objektivave të Hezbollahut në Liban.

Në Damask, media shtetërore siriane njoftoi se tre civilë u vranë gjatë sulmeve izraelite të martën. Të tjera sulme u njoftuan në kryeqytetin sirian të mërkurën.

Të martën, Irani lëshoi 180 raketa ndaj Izraelit, duke dëmtuar një shkollë në qytetin izraelit të Hod Hasharonit dhe duke vrarë të paktën një person në Bregun Perëndimor.

Teherani thotë se sulmi u krye si hakmarrje për vrasjen nga izraelitët të udhëheqësve të Hezbollahut, Hamasit dhe ushtrisë iraniane. Ndërsa Izraeli po përgatitet të kundërpërgjigjet, të mërkurën Presidenti Joe Biden diskutoi mbi konfliktin me udhëheqësit e Grupit të Shtatë vendeve më të industrializuara të botës.

“Ne do të vazhdojmë diskutimet me izraelitët se çfarë do të bëjnë, por të shtatë jemi dakord që ata kanë të drejtë të përgjigjen, por përgjigja duhet të jetë proporcionale”, tha ai.

Zoti Biden tha se nuk do ta mbështeste një vendim të mundshëm të Izraelit për të sulmuar objektet bërthamore të Iranit.

Presidenti amerikan ka paralajmëruar prej kohësh Izraelin që të mos lejojë që lufta e tij kundër Hamasin në Gazë të përhapet ndaj Hezbollahut në Liban, si dhe ndaj vetë Iranit.

Këtë javë Izraeli nisi një inkursion tokësor në Liban. Autoritetet izraelite kanë kërcënuar se do të sulmojnë Iranin si dhe vendeve të tjera ku ndodhen bashkëpunëtorët e Teheranit.

“Kjo është e vërtetë për Judenë dhe Samarinë (Bregun Perëndimor). Është e vërtetë për Gazën, Libanin, Jemenin, Sirinë – dhe është gjithashtu e vërtetë për Iranin. Ne luftojmë kundër boshtit të së keqes, kudo që të ndodhet”, tha Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu.

Uashingtoni druhet se përshkallëzimi i mëtejshëm mund të çojë në një përfshirje të drejpërdrejtë të Shteteve të Bashkuara në luftë nëse Irani hakmerret kundër Izraelit – e veçanërisht nëse goditen zonat e influencës amerikane në rajon.

“Kjo mund të nënkuptonte për shembull, sulme ndaj objekteve të prodhimit të naftës në Arabinë Saudite. Kjo mund të nënkuptonte fuqizimin e grupeve pro-iraniane në Irak dhe Siri për të sulmuar forcat amerikane. Dhe mund të tërhiqte Shtetet e Bashkuara në këtë luftë”, thotë Aaron David Miller, ekspert në institutin ‘Carnegie’ për Paqe Ndërkombëtare.

Shtetet e Bashkuara janë përfshirë tashmë në operacionet për interceptimin e raketave iraniane që synojnë të godasin Izraelin.

Por mbetet e paqartë nëse Presidenti Biden do të përdorë aftësitë ushtarake amerikane për të goditur drejtpërdrejt Iranin. Ajo çka është e qartë është se pavarësisht thirrjeve të tij për një armëpushim në Gazë dhe Liban, Uashingtoni nuk ka arritur ta frenojë konfliktin.

“Nxitësit kryesorë të ngjarjeve në Lindjen e Mesme sot janë lojtarët që janë të përfshirë në këto operacione luftarake. Është Izraeli, Hamasi në Gazë, Hezbollahu në Liban dhe Irani e rrjetet e tij në të gjithë rajonin, përfshirë Huthit në Jemen. Në një masë të madhe Shtetet e Bashkuara kanë luajtur rolin e vëzhguesit dhe janë përpjekur të kufizojnë pasojat më të rënda apo t’i parandalojnë ato”, thotë Brian Katulis, bashkëpunëtor i lartë në Institutin e Lindjes së Mesme me bazë në Uashington.

Udhëheqësi suprem i Iranit Ali Khamenei fajëson Shtetet e Bashkuara dhe vendet evropiane për luftërat në Lindjen e Mesme.

“Nëse ata çlirojnë rajonin nga prania e tyre, pa dyshim që këto konflikte, luftëra dhe përplasje do të zhdukeshin plotësisht”, tha ai.

Shtëpia e Bardhë nuk i është përgjigjur kërkesave për koment mbi deklaratat e Ali Khameneit, por tha se ndaj Teheranit do të vendosen më shumë sanksione./VOA/

SHKARKO APP