VOA: Shqipëri, dënohet gjyqtari i parë i rrëzuar nga procesi i Vetting-ut

NGA: VOA

Gjykata e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, GJKKO, dënoi sot me një vit shërbim prove ish kryetarin e Gjykatës Kushtetuese, Bashkim Dedja, pasi e gjeti fajtor për fshehje pasurie dhe deklarime të rreme mbi paratë e përdorura në blerjen e shtëpisë.

Struktura e Posaçme Anti-Korrupsion, SPAK, akuzoi ish gjyqtarin Dedja se në formularin e vetëdeklarimit të pasurive ka fshehur pasuri, që kanë të bëjnë me një shtëpi në plazh dhe burimin e një pjesë të parave, me të cilat bleu një shtëpi në kryeqytet. Ish gjyqtari Dedja ka thënë se një pjesë të këtyre parave ia ka marrë hua kunatit të tij, i cili i kishte siguruar ato nga puna në emigracion, ndërsa shtëpinë në bregdet e kishte në përdorim.

SPAK kishte kërkuar një vit burgim për zotin Dedja, ndërsa GJKKO e dënoi me gjashtë muaj burg, dënim i konvertuar me një vit shërbim prove. Ai bëhet kështu ish gjyqtari i parë, që u dënua nga Gjykata e Posaçme, pas një cikli të plotë të procesit të vetingut, i cili e largoi nga detyra e lartë që mbante në Gjykatën Kushtetuese.

Për akuza të ngjashme janë nën hetim edhe ish gjyqtarë dhe ish prokurorë të larguar nga sistemi i drejtësisë prej procesit të vetingut. Sistemi shqiptar i drejtësisë ka hyrë prej disa vitesh në një reformë të thellë strukturore, e cila përfshin përzgjedhjen e gjyqtarëve dhe prokurorëve bazuar në pastërtinë e pasurisë dhe integritetit profesional. Gjatë këtij procesi janë shqyrtuar afro treçereku i gjyqtarëve dhe prokurorëve të sistemit dhe janë larguar nga puna më shumë se gjysma e tyre.

SHKARKO APP