VOA: Situata e koronavirusit në Shqipëri është dramatike

Në Shqipëri, ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastiliu tha sot se situate e Pandemisë COVID 19 është kritike, duke qenë se ka një dyfishim të rasteve pozitive.

Në 24 orët e fundit u shënua një tjetër rekord me 593 të infektuar, ndërsa u regjistruan dhe 11 viktima të tjera.

Manastirliu tha se megjithatë gjendja vlerësohet të jetë nën kontroll dhe se me shtimin e pacientëve është gati të hapet dhe spitali i katërt që do të trajtojë të sëmurët me koronavirus.

Përhapja e pandemisë COVID 19 vijon në trajektoren rritëse, e cila u theksua veçanërisht në dy javët e para të muajit nëntor.

Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu foli sot për një situatë delikate e kritike, por ‘e kontrolluar, pra vlerësohet se rritja e qëndrueshme e rasteve karakterizon javën që po mbyllim, por është një situatë kritike,sepse krahasuar me një muaj më parë kemi një dyfishim të rasteve ditore’.

Edhe shifrat e 24 orëve të fundit regjistruan një rekord të ri sa i përket rasteve me 597 të prekur. I lartë dhe numri i viktimave, 11 vdekje të moshave nga 55 në 82 vjeç.

Në të gjithë vendin autoritetet numërojnë 263 vatra infeksioni, 76 përqind e të cilave janë vatra familjare. Sipas ministres, situata në Shqipëri paraqitet nën mesataren e rajonit. ‘Shqipëria qëndron me një incidencë dy javore, me 901 raste për 100 mijë banorë. Krahasuar me mesataren e rajonit, 1454 të prekur për 100 mijë banorë. Sa i takon fataliteteve, për 1 milion banorë, vendi ynë qëndron në 20.6 humbje jete, kundrejt 31.6 mesatarja e rajonit dhe 48.8 mesatarja e BE-së’, deklaroi ministrja.

Përkundrejt akuzave për numrin e ulët të testimeve, Manastirliu tha se ato kanë ardhur duke u rritur ndjeshëm në varësi të situatës epidemike:

‘Nga qershori, kur ne kishim fare pak të prekur krahasuar me sot, dhe ku totali i testimeve ishte 8883 testime, tetori është mbyllur 39.051 testime dhe vetëm në 13 ditët e para të nëntorit janë 24.048 testime të kryera në sistemin publik dhe 11.380 testime të kryera në sistemet jo publike’.

Rritja e ndjeshme e rasteve të reja është shoqëruar dhe me shtimin e pacientëve që kërkojnë një trajtim në strukturat spitalore. Megjithatë sipas ministres situata është larg së vlerësuari katastrofike, sikundër cilësohet nga opozita: ‘Jemi gati dhe po përcaktojmë stafet për COVID 4. Gati jemi dhe me skenarët e spitaleve rajonale.

Në momentin që përfundojnë dhe kapacitetet e COVID 4, pavionet e dedikuara të Vlorës, Durrësit, Elbasanit, Korçës dhe Shkodrës. Më pas në skenarin tjetër, skenarin B, ku përfshihen spitalet e Lezhës, Beratit dhe Fierit dhe në skenarin C, që përfshin spitalet e Dibrës, Kukësit dhe Gjirokastrës’.

Numri i shtrimeve në të vërtetë po shënon një trajektore vetëm në rritje. Të dhënat e 24 orëve të fundit dëshmojnë së janë aktualisht 393 pacientë nga të cilët 11 në terapi intensive dhe 5 të tjerë në intubim.

/Zëri i Amerikës

SHKARKO APP