VOA: Trump braktis përkohësisht sallën e gjyqit gjatë argumenteve përmbyllëse në gjykimin për shpifje ndaj tij

Donald Trump braktisi befas sallën e gjyqit ndërkohë që palët po paraqisnin argumentet përmbyllëse në rastin për shpifje kundër tij që lidhen me akuzat e autores E. Jean Carroll për përdhunim. Zoti Trump befas u ngrit në këmbë dhe doli nga salla vetëm pak minuta pasi avokatja e zonjës Carroll, Roberta Kaplan filloi të mbajë fjalën e saj përmbyllëse në gjykatën federale të Manhatanit.

Ai doli nga salla vetëm disa minuta pasi gjykatësi Lewis A. Kaplan pa praninë e jurisë, i tha avokates së zotit Trump Alina Habba se do ta dërgonte në burg për shkak se ajo po vazhdonte të fliste pasi ai i kishte thënë që të pushonte. Ai u rikthye më pas në sallë kur do të fliste avokatja e tij. Avokatët po paraqesin argumentet para nëntë anëtarëve të jurisë, të cilët do të fillojnë gjatë të premtes diskutimet nëse zonjës Carroll, një ish-autore e një rubrike me këshilla, i takojnë më shumë se 5 milionë dollarët që i janë dhënë në një gjykim tjetër vitin e kaluar.

Komentet e fundit nga avokatët bëhen një ditë pasi zoti Trump shkeli rregullat e vendosura nga gjykatësi federal, që i kufizonin atij se çfarë mund të thotë gjatë dëshmisë së tij, e cila zgjati vetëm tre minuta. “Ajo tha diçka që unë e konsideroj akuzë e rreme,” deklaroi zoti Trump, duke shtuar më vonë: “Unë vetëm desha ta mbroj veten, familjet time dhe sinqerisht, presidencën.” Gjykatësi Lewis A. Kaplan i tha jurisë të mos e marrin parasysh asnjërën deklaratë të zotit Trump.

Një juri tjetër majin e kaluar arriti në përfundimin se zoti Trump abuzoi seksualisht ndaj autores Carroll në pranverën e vitit 1996 në dhomat e provave të një dyqani veshjesh në Manhatan. Juria po ashtu arriti në përfundimin se zoti Trump kishte shpifur për te në vitin 2022 kur deklaroi se ajo e kishte sajuar akuzën për të shitur librin e saj biografik.

Zoti Trump, që është konkurrenti kryesor republikan në garën zgjedhore presidenciale të këtij viti në Shtete të Bashkuara, është penduar për vendimin që të mos dëshmojë në atë gjykim dhe ka fajësuar avokatët e tij që e kanë këshilluar keq.

Jurisë në këtë gjykim të ri i është thënë se mandati i tyre është i kufizuar. Gjykatësi Kaplan do t’i udhëzojë anëtarët e jurisë rreth ligjit para se ata të fillojnë shqyrtimin e argumentave, duke iu thënë se ata duhet të pranojnë dënimin e dhënë vitin e kaluar dhe se duhet vetëm të përcaktojnë nëse duhet kompensuar dëme tjera për shkak të deklaratave që zoti Trump ka bërë në qershor të vitit 2019, në kohën kur ishte president. Pretendimet janë zvarritur me vite për shkak të procesit të apelit.

Avokatët e zonjës Carroll kërkojnë mbi 10 milionë dollarë si kompensim për dëmet e shkaktuara. Avokatja e zotit Trump Alina Habba ka kontestuar dëmet, duke thënë se lidhjet e zonjës Carroll me zotin Trump e kanë bërë atë të famshme dhe se komentet e zotit Trump nuk mund të konsiderohen si përgjegjëse për kërcënimet me vdekje që i janë bërë asaj.

Vitin e kaluar juria ka hedhur poshtë pohimin e zonjës Carroll se zoti Trump e ka përdhunuar, ndonëse është pajtuar se ajo ishte abuzuar seksualisht. Javën e kaluar, zonja Carroll gjatë dëshmisë së saj tha se karriera e saj është shkatërruar nga deklaratat e zotit Trump rreth pretendimeve të saj gjatë pesë viteve të fundit, përfshirë së fundi gjatë fushatës zgjedhore për president. Ajo tha se nga frika për sigurinë ka blerë plumba për armën e saj dhe ka vendosur sistem alarmi elektronik përreth shtëpisë. Të enjten zoti Trump tha se ai qëndron “100%” prapa komenteve që ka bërë në dëshminë e tij në tetor të vitit 2002, ku mohoi akuzat e autores Carroll. /VOA/

SHKARKO APP