Vodafone Albania financon STEM, programin e gjeneratës së re digjitale në Shqipëri

Vodafone Albania dhe Ministria e Arsimit dhe Sportit nënshkruan sot marrëveshjen e financimit të programit STEM ( Shkencë, Teknologji, Inxhinieri, Matematikë). Ky program i gjeneratës së re që financohet nga Fondacioni Vodafone Group, si pjesë e agjendës strategjike për aftësimin digjital në Evropë (duke investuar 40 milionë euro në tregjet evropiane), do të financohet edhe nga Fondacioni Vodafone Albania, me misionin për të hedhur bazat e edukimit digjital për 3 vitet e ardhshme, edhe në Shqipëri.

Marrëveshja e financimit u nënshkrua nga Drejtoresha e Përgjithshme e Vodafone Albania, znj. Katia Stathaki dhe ministrja e Arsimit dhe Sportit, znj. Evis Kushi. Në fjalën e saj të rastit, Drejtoresha e Përgjithshme e Vodafone Albania tha se: “STEM është një komponent i rëndësishëm i teknologjisë dhe edukimit digjital. Vodafone Albania i ka të gjitha kapacitetet dhe vizionin për të bashkëpunuar me BE-në dhe Ministrinë e Arsimit dhe Sportit, që ky program të bëhet faktor i rëndësishëm edhe në kurrikulat e arsimit publik në Shqipëri. Next Generation Albania, përmes kurrikulës së STEM, është një mundësi unike arsimimi në fushën digjitale, që fuqizon studentët dhe mësuesit, duke i bërë më të aftë për të ardhmen.”

Më tej znj. Stathaki theksoi se ky program, i krijuar për moshat 12-18 vjeç, që do të zbatohet fillimisht në 12 shkolla, për t’u zgjeruar më tej edhe në shkolla të tjera publike në Shqipëri, do t’u mësojë të rinjve gjuhët e kodimit Arduin dhe App Inventor e do t’u krijojë mundësi që, në fund të trajnimit, të jenë të aftë t’i japin zgjidhje digjitale çdo problemi që mund të identifikojnë në komunitetet ku jetojnë.

Ministrja Kushi theksoi se: “Ne shqiptarët kemi një shprehje: ‘Miq të mirë në ditë të vështirë’; dhe në fakt Vodafone Albania është nga ata miq që në periudhën e vështirë të pandemisë tregoi një nivel të lartë solidariteti dhe përgjegjësie sociale. Zhvillimi i aftësive digjitale nëpërmjet STEM-it dhe nëpërmjet kontributit të këtij projekti, pa dyshim do të rrisë edhe aftësitë e komunikimit tek nxënësit, kreativitetin, besimin, këmbënguljen dhe zgjidhjen praktike të problemeve të ndryshme që mund të hasin nxënësit në jetën e përditshme.”

Aftësimi digjital është pjesë e objektivave të Vodafone. Një nga kontributet më të mëdha që Vodafone Albania bëri gjatë kohës së Pandemisë ishte dhurimi i 15.000 pajisjeve dhe dhënia e aksesit në internet për të gjithë fëmijët në nevojë, të cilët nuk mund të frekuentonin shkollën online gjatë 2020-ës.

Kohët po ndryshojnë, studentët po ndryshojnë dhe është thelbësore që sektori i arsimit të ecë në një hap me revolucionin e katërt industrial që po vjen, pra revolucionin teknologjik. Bashkimi Evropian po jep 3 miliardë euro fonde, pra 3 miliard euro nga 9 në total të paketës së destinuar për digjitalizimin e Ballkanit Perëndimor. Vodafone Albania është e para kompani private së cilës i lejohet të aprovojë një kurrikul në sistemin e arsimit publik në Shqipëri.

SHKARKO APP