Vonesat e pagave për mësuesit dhe infermierët, reagon Ministria e Financave
Mëngjesin e sotëm ka pasur raportime në rrjetet sociale se ka pasur vonesa në shlyerjen e pagave për punonjësit e sektorit publik.
Fillimisht u raportua se kishte vonesa në dhënien e pagave për mesuesit, dhe pas kësaj të njëjtën shqetësim ndanë dhe punonjësit e QSUT-së.
Në një komunikim për Fax News, Ministria e Financave deklaron se kjo vonesë vjen për shkak të ndryshimeve në udhëzimin e ri për siguracionet, që do të duhet të paguhet në të njëjtën ditë me pagat, nga institucionet e sektorit publik.
“Vonesa e shkaktuar pas udhëzimit të ri për siguracionet. Zyrat e financave po vonojnë procesin. Kanë kaluar paratë nga thesari i shtetit”, thanë burime nga Ministria e Financave.
Kujtojmë se përllogaritet që borxhi që i kanë institucionet shtetërore, vetë shtetit për sigurimet shoqërore arrin në shifrat e 110 milionë lekëve.
Për këtë Ministria lëshoi pak ditë më parë një udhëzim “përmes së cilit specifikohet se pagesat e sigurimeve shoqërore të institucioneve buxhetore do të kryhen njëkohesisht me pagesën e borderosë, dhe jo pas 20 ditëve si në parashikimin e mëparshëm.
Ndërkohë, Drejtoria e Përgjithshme e Thesarit, po në bazë të këtij Udhëzimi, siguron zbatimin me rigorozitet të këtij rregulli të ri që prej muajit Tetor 2019. Në mënyrë paralele, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve dhe Instituti i Sigurimeve Shoqërore po ndjekin intensivisht rakordimin dhe shlyerjen hap pas hapi të këtyre detyrimeve të maturuara”.
/Faxweb.al