Vorë-Hani i Hotit 2 orë me tren, Spiropali: Qeveria çon në Kuvend ratifikimin e kontratës

Qeveria ka çuar në Kuvend ratifikimin e kontratës për financimin e hekurudhës Vorë-Hani i Hotit. Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali, bëri të ditur se Qeveria ka propozuar projektligjin “Për ratifikimin e kontratës financiare, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Evropiane të Investimeve, për financimin e projektit “Linja hekurudhore Vorë-Hani i Hotit-porta globale” me vlerë 100 milion euro.

Postimi i plotë nga Spiropali

Mirëdita me një lajm shumë të mirë. Sot, Këshilli i Ministrave vendosi të propozojë në Kuvend projektligjin “Për ratifikimin e kontratës financiare, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Evropiane të Investimeve, për financimin e projektit “Linja hekurudhore Vorë-Hani i Hotit-porta globale” me vlerë 100 milion euro.

Përmes këtij projekti strategjik do te kryhet rehabilitimi i linjës hekurudhore Vorë – Hani i Hotit, për të mundësuar ofrimin e një shërbimi modern të transportit, arritjen e lëvizshmërisë së gjelbër të qëndrueshme sipas standardeve të BE-së.

Parashikohet rehabilitimi i linjës hekurudhore me një gjatësi prej 120 km dhe rehabilitimin e 12 stacioneve hekurudhore për pasagjerë dhe mallra, ndërsa koha mesatare e udhëtimit nga Vora në Hanin e Hotit pritet të jetë 2 orë. Në 6 qershor, Kuvendi miratoi në seancë Ratifikimin e marrëveshjes së huas, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, për rehabilitimin e kësaj linje hekurudhore.

Një pjesë e kostos totale të investimeve do të mbulohet nga buxheti i shtetit, pjesa tjetër nga BERZH, BE përmes Kornizës së Investimeve të Ballkanit Perëndimor dhe Banka Evropiane e Investimeve. Projekti synon të lidhë nëpërmjet hekurudhës, Shqipërinë me Malin e Zi nëpërmjet stacionit të përbashkët hekurudhor të Tuzit drejt Podgoricës, e më tej drejt lidhjeve hekurudhore ndërkombëtare midis kryeqyteteve, duke përfshirë Beogradin, Zagrebin, Lubjanën edhe Budapestin & do të japë një shtysë në zhvillimin e mëtejshëm të ekonomisë së vendit.

Ky projekt strategjik është një mundësi e madhe edhe për Shkodrën, qarkun dhe krejt rajonin veri-perëndimor. Kryeqendra e veriut dhe jo vetëm do të njohë një hov zhvillimi përmes aksesit të shtuar nga rehabilitimi i kësaj linje.

Zbatimi i projektit synon ndërtimin e një infrastrukturë hekurudhore ndërvepruese, të lidhur me vendet fqinje të rajonit e më gjerë, që plotëson kërkesat e Sistemit Evropian të Menaxhimit të Trafikut Hekurudhor, krijimin e kushteve më të mira për zhvillimin e shërbimeve të udhëtarëve dhe mallrave, rritjen ekonomike dhe zhvillimin social brenda vendit dhe nxitjen për kalimin nga transporti rrugor në transportin hekurudhor, duke promovuar një alternativë më eficiente për komunitetin dhe bizneset.

Kjo vepër me standard të një tjetër niveli do të forcojnë lidhjen midis Shqipërisë dhe rajonit, duke nxitur lëvizshmëri të qëndrueshme që vendos bazat për një rrjet hekurudhor modern, të sigurt dhe gjithëpërfshirës. Si shumicë qeverisëse jemi gjithmonë e më të bindur dhe të vullnetshën për t’ju përgjigjur sfidave dhe detyrimeve që kemi ndaj qytetarëve tanë, për të plotëesuar me gjithësej projektin historik Kombëtar: #Shqipëria2030.

SHKARKO APP