Vota e 30 qershorit para gjyqit/ Bashkiakët kërkuan anulimin. Gjykata Kushtetuese do flasë të mërkurën
E mërkura 23 Qershorit do ta gjejë të mbledhur Gjykatën Kushtetuese për të vijuar shqyrtimin e padisë nëse zgjedhjet lokale të 30 qershorit 2019, ishin apo jo kushtetuese.
Më shumë se sa një vendimmarrje e karakterit juridik, kjo padi në kushtetuese po ndiqet me shumë interes nga të gjitha forcat politike e në veçanti nga shumica qeverisëse dhe opozita e cila i bojkotoi ato zgjedhje.
Kryetarja demokrate e Bashkisë Shkodër Voltana Ademi në emër të bashkive të Shqipërisë, një shoqatë e drejtuar prej vetë asaj, vendosi të çojë çështjen në Gjykatën Kushtetuese, duke i kërkuar asaj të shpallë pavlefshmëri dhe përsëritje të zgjedhjeve.
Përpara mbajtjes së seancës së 23 Qershorit Gjykata Kushtetuese, i ka dërguar palës paditëse një shkresë ku kërkon pjesëmarrjen në seancë vetëm të një personi për shkak të masave anti-covid.
Më 8 Qershor Pjerin Ndreu u zgjodh, si kryetar i ri i Shoqatës së Bashkive, por gjykata e shkallës së parë Tiranë i ka kërkuar Ndreut të shpjegojë se kush e ka thirrur mbledhjen e jashtëzakonshme, cila ka qenë urgjenca e thirrjes së saj.
Në tilla kushte kur socialisti Ndreu nuk është certifikuar ende në krye të kësaj shoqate, drejtimi saj do të vijojë prej Voltana Ademit e cila kontaktuar prej Top Channel tha se do të jetë në seancën e të mërkurës në gjykatën Kushtetuese, bashkë me avokatin e shoqatës.
Për këtë çështje, Top Channel kontaktoi me kryetarin e ri të Shoqatës së Bashkive Pjerin Ndreu i cili tha:
“Ndryshimet e fundit në shoqatë ia janë çuar gjykatës për miratim dhe jemi në pritje. S”kemi pse ngatërrojmë organizimin e brendshëm të një shoqate me padinë në Gjykatën Kushtetuese. Nëse do ishte ashtu do procedohej kohë më parë. Mbledhja e Asamblesë dhe vendimet e marra kanë të bëjnë vetëm funksionin e shoqatës”.
Këshilli i Ministrave si palë në këtë proces do të përfaqësohet nga zonja Elira Kokona. Me të gjitha gjasat, duke marrë në konsideratë zhvillimet brenda Shoqatës së Bashkive nuk përjashtohet mundësia që Gjykata Kushtetuese ta shty shqyrtimin për një datë tjetër.
Top Channel