Vota e diasporës, Majko: Model kroat, duhet konsensus
Çdo shqiptar që jeton jashtë vendit, votën do ta japë për deputetët e qarkut të Tiranës. Pse u zgjodh kryeqyteti? Ministri për Diasporën, Pandeli Majko, tregon në një intervistë për A2 se modeli i propozuar është ai kroat.
”Bazuar në këtë sistem që kemi, ekspertët po shikojnë disa diskutime. Për shembull, propozimi që erdhi nga grupi ndërinstitucional, i krijuar nga ekspertët e institucioneve të qeverisë shqiptare, ka qenë që të votohet në 12 qarqe. Por, në propozimet e komisionit të reformës zgjedhore, mbase mund të ecim me idenë që të votohet në një qark, siç është modeli kroat”.
Të drejtën e votës e gëzojnë vetëm ata që janë në regjistrin e gjendjes civile, por zarfi nuk do t’u shkojë të gjithëve. Shqiptaret e diasporës duhet të shprehin dëshirën për të votuar, njësoj si në SHBA. ”Lista e votuesve jashtë vendit do të jetë bazuar mbi regjistrin e shtetasve që banojnë jashtë vendit por kjo nuk do të jetë automatikisht listë votuesish. Kjo, për një arsye shumë të thjeshtë, sepse duhet të shprehet vullneti”.
Nëse Damian Gjiknuri flet për 20-30 mijë votues, Pandeli Majko ka në mendje shifra më të larta, në nivelin e Kosovës. A është menduar se ku do të numërohet vota dhe si do të numërohet? “Padiskutim që nuk do të bëhet në godinën e PS-së, por në KQZ. Këto dy godina e ndan një baçe, por nuk mendoj se baçja do të jetë një arsye për të manipuluar zgjedhjet”.