Vota nga diaspora, Celibashi: KQZ-së i është dhënë buxheti për pagesën e postës

Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi thotë se qeveria i ka dhënë KQZ-së buxhetin për të mbuluar shpenzimet për pagesën e postës për votimin e qytetarëve nga jashtë Shqipërisë, por siç u shpreh ai për të kryer procedurën duhet bërë një ndryshim në Kodin Zgjedhor.

”Nëse ka një gjë të cilën unë personalisht e kam në vëmendje por edhe si institucion është besimi që do të duhet të reflektojmë tek të gjitha palët në këtë proces dhe siç e tha edhe deputeti Çollaku kjo është një çështje shumë sensitive sepse mund të hedhë në erë të gjithë procesin, jo vetëm procesin e votimit nga jashtë. Po punojmë ngushtë me partitë politike, përfshirë edhe PD-në. Po me gjithë partitë politike kryesore të jetës politike të këtij vendi dha fakti që të gjitha aktet deri tani kanë kaluar pa kontestim, do të thotë që ne e kemi pasur në vëmendje këtë lloj qasje, por natyrisht akoma dhe më shumë për të ardhmen ngelet që të punojmë në këtë drejtim. Partitë kanë akses që nga hapi 1 e deri në përfundim të procesit të regjistrimit të votuesve nga jashtë”,-u shpreh Celibashi.

Ai tha se është një proces që ka mundësi reale të monitorohet nga partitë politike. ”Ato kanë të drejtë të caktojnë vëzhgues, kanë të drejtë për dy auditues teknikë edhe të procesit të regjistrimit të votuesve nga jashtë që në sekondën e parë kur nis procesi. Kanë të drejta për ta këqyrur si funksionon, të marrin informacion etj. Të ngarkojnë ekspertë të çdo lloj natyre, për çdo shqetësim a dyshim që mund të kenë për të gjithë elementet e këtij procesi”,-u shpreh kryekomisioneri i zgjedhjeve.

Celibashi zbuloi edhe propozimin e tij që ka të bëjë me tavolinën ku do numërohen votat. ”Numërimi e vlerësimi i fletëve është në prani të partive politike, krahas dy punonjësve të KQZ-së në tavolinë, në draftin që i kam paraqitur Komisionit Rregullator, kam parashikuar që dy partitë PS dhe PD të kenë një njeri që qëndron ulur aty, me status prezence. Procesi është i monitoruar me kamera në çdo tavolinë”, tha ai.

Celibashi tha se ka pasur diskutime me qeverinë shqiptare lidhur me tarifën e shërbimit postar. ”Është sugjeruar që për këtë proces zgjedhor të parë të votimit nga jashtë kostoja e dërgesës së fletës së votimit në vend të paguhet nga shteti shqiptar dhe duket që tashmë e kemi vullnetin e qeverisë dhe të Kuvendit sepse në ligjin për buxhetin të miratuar disa ditë më parë i është vënë në dispozicion KQZ-së buxhet për të paguar tarifën postare si në dërgim ashtu edhe në kthim të fletës së votimit”, u shpreh ai.

SHKARKO APP