Vota për Berishën, mban Edi Ramën në pushtet
Nga Kreshnik Spahiu
Avokati më i fort i Sali Berishës sot për sot, nuk është francezi 71-vjeçari Jean Yves Le Borgne, i cili as denjoi ta takoj dhe as pranoi të shkoj në Shqipëri për klientin e tij.
Ai thjesht mori një shumë majme parash me transfert bankare dhe e humbi gjyqin kundër sekrektarit amerikan Blinken. Avokati më i fortë i Sali Berishës sot për sot është Rama. Ky i fundit është njeriu më i interesuar në planet që Berisha mos dal në pension por të vazhdojë sa të ketë frymë të jetë kryetar opozite.
Makineria mediatike e baltës ka 33 vjet që sulmon çdo kënd që del kundër Sali Berishës si të shitur tek Partia Socialiste, vetëm pse janë kritikë të Berishës. Mijëra të larguar dhe eleminuar nga PD 33 vitet e fundit janë baltosur nga megafonët e Berishës si të shitur tek kryeministrat Nano, Meta, Rama.
Nëse je kundër Saliut prezumohet nga shpellarët që je i shitur tek socialistët. Ata nuk e imagjinojnē dot që mund jesh kundër tē dyve Berishës dhe Ramës. Në fakt i shituri kokë dhe këmbë tek Rama është vetë Sali Berisha. De fakto dhe de jure nuk e mban Roland Bejko në pushtet Edi Ramën, por e mban Sali Berisha. Garancia për mos proçedimin penal të Berishës është Edi Rama. Ky i fundit i ka garantuar që nuk preket.
Unë e “besoj” Berishën kur thotë: “SPAK është degë e Partisë Socialiste dhe komandohet nga Rama”. Atëhere duke besuar logjikën e Berishës pranojmë faktin që Rama e urdhëron SPAK-un që mos e preki Berishën dhe familjen e tij.
Pavarësisht presionit amerikan që Berisha të hetohet, SPAK nuk i ka pasur duart e lira ta petes as dëshmitar Berishën, jo se e ka frikë vetë Saliun por s’ka dritë jeshile nga Rama.
Liria dhe paprekshmëria e Berishës ka dalë në konçesion qeveritar. Qeveria i garanton paprekshmëri, në këmbim të shitjes zgjedhjeve.
Rama ka disa arsye pse e mbron Berishën:
– sepse një kundërshtar si Berisha që është armik i perëndimit nuk do lejohet të vijë në pushtet me çdo mjet,
– sepse Berisha pengon alternativat e tjera opozitare dhe i baltos pa nisur aksionin e tyre politik,
– sepse Berisha kërkon polarizimin politik dhe jo pluralizmin politik,
– sepse partitë e reja s’ka nevojë ti asgjesoj Rama dhe pushteti pasi ato i denigron dhe baltos Sali Berisha brenda llojjit,
– sepse Berisha është përçarsi më i sigurtë i së djathtës,
– sepse Berisha është komunisti më perfekt që aktron si anti-komunist,
– sepse Berisha nuk e ka luftën me Ramën por me Amerikën dhe Anglinë,
– sepse Berisha përpara se të rrëzoj qeverinë e Tiranës i duhet të rrëzoj qeverinë e Washingtonit dhe Londrës.
Për këto arsye: Vota për Sali Berishën, është votë për Edi Ramën. Vota për Berishën është tre herë e dëmshme:
1- Është e çuar dëm sepse Berisha s’vjen kurrë në pushtet.
2- Nuk lejon forcimin e një opozite të re
3- Garanton mandatin e 4 të Edi Ramës
Kush i zgjat jetën politike Berishës, i shërben mbajtjes në pushtet të Edi Ramës.
Votoni çdo kënd, por jo Berishën dhe Ramën.
Ata janë 1 votë, 1 kuti, 1 parti.