Vota për emigrantët? Gjoni: Do t’i shtonim një hallkë problemeve
Çështja e votës për diasporën, është një nga temat e ditës dhe diçka që duket sikur përsëritet në mënyrë ciklike në panoramën politike shqiptare por pa gjetur përgjigje. Sipas analistes Edlira Gjoni, gjasat janë që edhe kësaj radhe të mos kemi zgjidhje në këtë pikë, për shumë arsye. “Emigrantët nuk do të votojnë as në zgjedhjet parlamentare në 2021”, për këtë është bindur analistja.
Sipas saj, diskutimi mbi votën e emigrantëve nuk është vendimmarrje e PS-së, edhe pse duhet të ishte në interesin e tyre. Studimet tregojnë se pjesa më e madhe e emigrantëve votojnë zakonisht për partinë në pushtet. Nga mazhoranca po i mëshon më shumë zoti Majko, dhe është e natyrshme. Por kryeministri do të thotë që votimi nuk do të bëhet, ose nuk do të thotë gjë dhe do ta anashkalojë fare”.
Gjoni e ndan në dy pjesë çështjen. ”A meritojnë emigrantët të votojnë? Po. A jemi ne gati për administrimin e këtij procesi? Absolutisht jo. Është folur për një model kroat që do të ndiqet por edhe këtu Gjoni shton se ”nuk jemi Kroacia dhe nuk kemi sistemi e saj të administrimit të zgjedhjeve. Cilado të jetë formula, do të ketë ankesa. Në vend të zgjidhjes, në këtë moment do t’i shtonim një tjetër hallkë problemeve tona dhe mundësisë për të abuzuar”.