Votohen në Kuvend rezolutat e PS dhe opozitës për Jeruzalemin, pa surpriza
Pas debateve për votën e Shqipërisë në OKB, deputetët e Kuvendit kanë votuar dy rezolutat e PS dhe të opozitës për Jeruzalemin. Ashtu siç edhe pritej, mazhoranca miratoi rezolutën e propozuar nga ajo vetë, dhe rrëzoi atë të Partisë Demokratike.
Në seancën e sotme, Partia Socialiste paraqiti një rezolutë për votën e Shqipërisë mbi statusin e Jeruzalemit ku i kërkon Qeverisë që në përputhje me interesin kombëtar të vijojë të bashkëpunojë për forcimin e paqes, sigurisë, dhe bashkëpunimit në të tërë rajonin e Lindjes së Mesme, me aleatët dhe partnerët strategjikë, në radhë të parë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Europian.
Ndërkaq, Partia Demokratike nga ana tjetër dorëzoi projektrezolutën e saj vend për çështjen e Jeruzalemit dhe votës së Shqipërisë në Asamblenë e Kombeve të Bashkuara në dhjetor, duke shprehur se kjo gjë lindi si domosdoshmëri e mungesës së konsultimit të Ministrisë së Jashtme me pushtetin ligjvënës.
Opozita deklaron se kjo votë ka shkaktuar “sulme të padrejta e të padobishme ndaj Shteteve të Bashkuara”, e për këtë propozoi që të anulohet vota në OKB nga ana e Parlamentit.
“Kuvendi duhet menjëherë të distancohet dhe të kërkojë nga Qeveria që të ndërmarrë hapat e nevojshme për rregullimin e kësaj situate”, thuhej në projektrezolutën e PD, tashmë e rrëzuar nga Kuvendi.
KOHA JONË SONDAZH

