Votohet rezoluta e PS-së, deputeti Shehaj: Politikanët e korruptuar i janë kundërvënë SPAK-ut

Deputeti i pavarur Agron Shehaj e cilësoi rezolutën e propozuar nga PS për të luftuar korrupsionin si një mënyrë për të mbrojtur të korruptuarit. Ai votoi kundër draftit të paraqitur, dhe tha se kjo rezolutë ka për qëllim të luftojë drejtësinë.

“Nuk ka lidhje me luftën kundër korrupsionit përkundrazi rezoluta po bëhet për të mbrojtur të korruptuarit. Në Shqipëri po ndodh e njëjta gjë që ka ndodhur në disa vende të Evropës Lindore, në Rumani, në Bullgari, në Kroaci, kishin të njëjtin problem që kemi ne sot.

Edhe sot në Shqipëri SPAK-u është duke hetuar si kurrë më parë ish-ministra, deputetë, po merr në pyetje përfaqësues të mazhorancës, vazhdimisht ministrat e kësaj qeverie përditë dalin para SPAK-ut për të mbajtur përgjegjësi, për te dhënë përgjigje për aferat korruptive që kanë mbështetur që kanë aprovuar apo që kanë heshtur.

Tani reagon mazhoranca në të njëjtën mënyrë siç ka reaguar në vendet e tjera. Po ngre një Komision me qëllim kufizimin e plotë të drejtësisë, ky është qëllimi i vërtetë i kësaj rezolute, të shpëtojë të korruptuarit. Politika e korruptuar po kërkon t’i shpëtojë drejtësisë nëpërmjet rezolutave dhe komisioneve si ai që ju doni të krijoni.

E filluat me amnistinë, refuzuat zgjatjen e mandatit të SPAK-ut duke ju thënë ta dini mandati juaj mbaroi dhe do mbeteni në mes të rrugës. Ja tregoni përditë SPAK-ut sesa e mbështesni drejtësinë mjafton të shohim deklaratën e fundit të Dumanit, i cili tha se është ulëritëse mungesa e bashkëpunimit me Policinë”, tha Shehaj.

SHKARKO APP