Votojnë Erion Veliaj dhe Halim Kosova

 

Kandidati i majtë për bashkinë e Tiranës, Erion Veliaj ka votuar rreth orës 09.40 të mëngjesit. Ai shoqërohej nga bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa në qendrën e votimit të ngritur në shkollën “Fan Noli”.

Pas votimit Veliaj ftoi qytetarët të votojnë, për të shprehur atë që mendojnë.

“Dua të falenderoj të gjithë komisionerët, është një akt qytetarie ndaj dua t’i falenderoj me gjithë zemër. Dua të përshëndes ata që votojnë për herë të parë. Dua të bëj thirrje të gjithë qyetarëve që është shumë e rëndësishme të votojnë. Ne ankohemi, shqetësohemi, po në fund ka rëndësi mënyra si e shprehim atë që mendojmë. Unë besoj se ç’është thënë në këtë fushatë, qytetarët e japin me votën e tyre masive opinionin e tyre mbi drejtimin e tyre që duan të çojnë vendin. Çdo votë vlen, ndaj është festë e demokracisë”,tha Veliaj.

Duke kujtuar edhe diferencën prej 10 votash mes Edi Ramës dhe Lulzim Bashës në 2011, Veliaj tha se çdo votë është e vlefshme. "Sot një festë e demokracisë, të lexojmë me transparencë rezultatin e zgjedhjeve", vijoi ai.

Vetëm 20 minuta pas rivalit të tij për Bashkinë e Tiranës, doktor Halim Kosova ka hedhur votën e tij në një qendër votimi të ngritur në një konsultore të Tiranës, në njësinë nr. 5. Kosova shoqërohej nga bashkëshortja e tij, Elsa.

Çifti Kosova ka pritur në radhë për të ushtruar të drejtën kushtetuese të votimit.

"Përfitoj nga rasti të them sot që për Tiranën është një ditë shumë e mbarë. Ftoj të gjithë banorët e saj të respektojnë standardet, të ushtrojnë pushtetin e tyre, të vënë demokracinë në punë, nëpërmjet votimit masiv. Këto nuk janë zgjedhje politike, por për menaxhimin e qytetit. E dinë qytetarët cila do të jetë më e mira”, tha Kosova, pas votimit.

SHKARKO APP