Vranë 41-vjeçarin para Gjykatës, Prokuroria kërkon “arrest me burg” për babë e bijë
Prokuroria e Tiranës ka dyshimet të forta se vrasja e Kudret Saliajt nga vjehrri i tij, Nexhip Picari, ka qenë një ngjarje e paramenduar dhe e kryer në bashkëpunim me bashkëshorten e viktimës, Dhurata Saliaj. Babë e bijë kanë mbajtur në vëzhgim lëvizjet e 41-vjeçarit Saliaj para krimit. Dhurata ka vëzhguar nga distanca tavolinën ku ndodhej avokati Adriatik Cama dhe një psikologe.
Në momentin kësaj tryeze i është bashkuar Kudret Saliaj, babai i saj është afruar drejt tyre dhe ka hapur zjarr, duke qëlluar 4 herë dhëndrin e tij 41-vjeçar dhe një herë avokatin Cama. Dyshimet për bashkëpunim janë forcuar edhe për shkak të kundështive të mëdha mes deklarimeve të Nexhip Picarit dhe Dhurata Saliajt, një prej të cilëve pretendon të ketë qenë i vetëm në lokal.
Grupi i hetimit nuk e ka të qartë nëse avokati Adriatik Cama, ish-prokuror i disa dosjeve të bujshme është plagosur rastësisht, apo ka qenë objektiv, fakt që mund të rëndojë së tepërmi akuzën për babë e bijë. Këtë të dielë, prokuroria e Tiranë depozitoi në gjykatë kërkesën për caktimin e masës së sigurisë “arrest në burg” për Nexhip Picarin e Dhurata Saliajn, kërkesë që pritet të shqyrtohet gjatë së hënës.