Vranë pengun, sot jepet masa e sigurisë për 5 autorët
Gjykata e Tiranës do të japë masën e sigurisë për 5 të arrestuarit për rrëmbimin dhe vrasjen e Jan Prengës. Deri më tani në pranga kanë rënë Leonard Hajri 36 vjeç, (i dënuar më parë) babai i tij Bajram Hajri 64 vjeç, kushëriri Elton Hajri 32 vjeç, një tjetër anëtar i familjes, Festim Bexhdili dhe shoku i tyre Olsi Turja 36 vjeç, të gjithë banues në Shijak. Këta persona akuzohen për “Rrëmbimi ose mbajtja peng e personit”, “Fshehja ose asgjësimi i kufomës”, “Veprime që pengojnë zbardhjen e të vërtetës”, “Përkrahja e autorit të krimit”, të kryera në bashkëpunim dhe “Armëmbajtja pa leje”. Këta persona së bashku me Altin Hajrin, pronari i kompleksit ”Golden” në Shijak ku vdiq Jan Prenga mendohet se kanë ekzekutuar vetëm urdhrin nga “kokat” e bandës që kishin porositur rrëmbimin e Jan Prengës në Kamëz më 17 janar të këtij viti. Rrëmbimi i Prengës ka ardhur për shkak të një sasie prej 283 kg kokainë, që vëllai i Jan Prengës, Astrit mbante peng në Angli dhe nuk e tregonte se ku e kishte çuar. Ky i fundit është arrestuar në Angli.