Vrasja e 14 vjeçarit në Tiranë, Armand Duka: Jam i tronditur!
Presidenti i FSHF-së, Armando Duka reaguar për vrasjen me thikë të 14-vjeçarit M. Cani pas një sherri me bashkëmoshatarë të tij në afërsi të shkollës “Fan Noli” në Tiranë. Në një reagim në rrjete sociale, Duka shkruan se është i tronditur nga ngjarja që i ndërpreu në mes Martinit ëndrrën për futbollin.
Postimi i Armando Dukës:
Miqtë e mi!
Nuk do doja e nuk do dëshiroja kurrë më që të ndaja me ju mesazhe të tilla!
Aq më teper sot, për humbjen e tmerrshme të Martinit 14-vjeçar, i cili prej vitesh kishte zgjedhur si shumë shokë të tij të ndiqte pasionin për futbollin. Fatkeqësisht kjo ëndërr iu ndërpre padrejtesisht në mes.
Sinqerisht dhe tejet i tronditur, nuk gjej fjalë në këto momente për të ngushëlluar familjen dhe prindërit e djaloshit të vogël, futbollistit të ekipit U-15 të Dinamo City, Martin Cani!
Në emrin tim personal, të familjes time, si dhe në emër të komunitetit tonë të madh të futbollit, thellësisht i trishtuar nga ç’ka ndodhi e ç’ka mësuam, do të doja t’i qëndronim sadopak afër dhimbjes së madhe të prindërve, duke u përcjellë ngushëllimet tona!
Zoti i dhëntë sa më shumë forcë për ta përballuar këtë këputje shpirti!
Një kampion i vogël tashmë do ta ndjekë nga lart pasionin e tij, ekipin e tij dhe shokët e tij!
Ndërkohë ne si komunitet futbolli, si shoqëri, e si prindër na shtyn akoma më shumë obligimi dhe angazhimi maksimal për të qëndruar e punuar sa më shumë me fëmijët e dashur në pasionet dhe ëndrrat e tyre.
Pusho i qetë Martin!
Shokët dhe futbolli nuk do të të harrojnë kurrë!