Vrasja e 20-vjeçares nga burri, komuniteti shqiptar në Greqi apel mediave: Ndaloni shpifjet

Vrasja e 20-vjeçares britanike në Greqi nga bashkëshorti i saj, u bë një ndër lajmet më të bujshme edhe në Shqipëri, pasi autori i krimit të rëndë tha fillimisht se ishin disa grabitës ata që i vranë të shoqen dhe mediat greke menjëherë shkruajtën se ata janë shqiptarë.

Komuniteti i Emigrantëve Shqiptarë në Greqi janë shprehur të tronditur si dhe i kanë kërkuar mediave greke ti kërkojnë falje publikisht shqiptarëve për shpifjet që kanë bërë ndaj tyre pa asnjë bazë informacioni zyrtar.

Ata janë shprehur se ka ardhur koha që ky kapitull të mbyllet njëherë e përgjithmonë e të mos i gjykojnë më shqiptarët, mos të kultivojnë më urrejte në një shoqëri që tashmë është mjaft e dëmtuar.

Deklarata e plotë

Komuniteti i Emigrantëve Shqiptarë në Greqi shpreh tronditjen e thellë dhe neverinë e ngjallur nga krimi i rëndë, që tronditi mbarë opinionin publik në vend. Si të gjithë, ndjekim të shokuar zhvillimet e fundit në hetimet e vrasjes së nënës së re në Glika Nera, nga vetë bashkëshorti i saj. Shprehim ngushëllime të sinqerta dhe mbështetjen pa kushte ndaj familjes së viktimës 20-vjeçare, Caroline Crouch.

Njëkohësisht kërkojmë të përdoren menjëherë reflekset e shtetit për të siguruar një reagim të gjerë e për të dërguar pa humbur kohë mesazhin e duhur, në çdo drejtim: Vrasësi i Caroline NUK ishte asnjë kriminel tepër i rrezikshëm “shqiptar” apo “gjeorgjian” etj. Sërish media greke nuk humbet aspak shansin të kultivojë me vullnet të jashtëzakonshëm stereotipin e “kriminelit të huaj, emigrant”, akte që nxisin urrejtjen dhe racizmin në shoqërinë greke.

Dënojmë thellë aktin e frikshëm të vrasësit 33-vjeçar, i cili për 37 ditë me radhë luante rolin e bashkëshortit të hidhëruar. Kërkojmë nga media greke të kërkojë falje në publik për shpifje dhe manipulim të përsëritur, duke shfrytëzuar shqiptarët në Greqi, me propagandë të vazhdueshme, pa asnjë bazë apo informacion zyrtar.

Ndodh shumë vite tashmë, ka ardhur koha që ky kapitull të mbyllet njëherë e përgjithmonë, duke dënuar ashpër çdo autor përgjegjës! Le të mos kultivojmë urrejtjen në shoqërinë tonë që është dëmtuar mjaft, por ku mund dhe duhet të bashkëjetojmë të gjithë harmonikisht. Le të jemi të bashkuar kundër çdo forme dhune, sulmi ndaj të pafajshmit e vulnerabëlit, akti kriminal, për një të nesërme më të begatë për të gjithë.

SHKARKO APP