Vrasja e 25-vjeçarit, Hoxha: Pasojë e frymës së qeverisë përçuar te Policia
Vrasja e 25-vjeçarit Klodian Rasha vijon të jetë në qendër të vëmendjes edhe një javë pas ngjarjes tragjike të 8 dhjetorit.
Prokuroria, përmes një njoftimi për shtyp sot, paralajmëroi ndryshim të akuzës për efektivin e policisë të dyshuar si autor.
Lidhur me këtë temë, i ftuari i gazetares Beti Njuma në RTV Ora ishte analisti Artan Hoxha.
Sipas Hoxhës, prokuroria që po heton ngjarjen të mos bjerë në nivelin e qeverisë që e quajti “vdekje aksidentale“.
“Ajo që dimë sot juridikisht është vendimi i qeverisë për ti dhënë një pension babait të viktimës me titullimin juridik “vdekje aksidentale”. Uroj që Prokuroria të mos përfundojë në këtë derexhe. Uroj që prokuroria të ketë një formulim të plotë të ngjarjes, larg asaj që u shit ditët e para si tejkalim i masës së mbrojtjes.
Ajo që pritet është kualifikim i një vrasje të qëllimshme dhe jo në rrethanat e vetëmbrojtjes nga ana e policit”, tha Artan Hoxha.
Beti Njuma: A mund të blihet gjaku me para? Me këtë kompensim, me këtë dëmshpërblim? Kryeministri ka shkuar tre herë në shtëpinë e të vrarit…
Artan Hoxha: Një pjesë e mirë e opinionit publik gjykon se lidhja shkak-pasojë buron nga qeveria, buron nga kryeministri si një frymë e përçuar në instrumentat e shtetit, në veçanti Policinë e Shtetit për të ushtruar dhe tejkaluar masën ligjore të presionit mbi njerëzit. Ngjarjen e vrasjes e shohin si pasojë e një fryme të tillë të instaluar në Policinë e Shtetit.
Nga një pushtet monokratik, me gjithë fuqinë në një dorë, kuazi model diktature i paarrirë ende, është hiperpropagandistike. Dhe nuk do ngurrojë të bëjë gjëra të tilla, shpërblime me justifikime ligjore të pagoditura. Është ai ata të rinjtë që i çonin në aksione dhe kur vdisnin i vendosin emrat e rrugëve. Siç është Shkurte Vata“, tha ndër të tjera Hoxha.