Vrasja e 25-vjeçarit në Laprakë, rasti i tretë kur policia përdor armën e shërbimit

Ekzekutimi i 25-vjeçarit, Klodian Rasha, nuk është rasti i parë që efektivët përdorin armën e shërbimit ndaj qytetarëve. Më herët u plagos Orgest Bilbili si dhe u ekzekutua 71-vjeçari, Lefter Zhidru. Ekspertët e policisë dhe juristët shprehen se sipas të dhënave paraprake efektivi i policisë ka vepruar në kundërshtim me procedurën dhe ligjin. 

Vrasja e 25-vjeçarit Klodian Rasha nga efektivi i policisë së repartit Shqiponja nuk është rasti i parë kur uniformat blu përdorin armën e shërbimit ndaj qytetarëve.

Në Prill të këtij viti një tjetër efektiv i policisë i repartit Shqiponja nxori armën dhe qëlloi ndaj Orgest Bilbilit, duke e plagosur në këmbë dhe arrestuar më pas.

E njëjta skemë si mëngjesin e kësaj të martë u regjistrua dhe mesditën e 10 prillit, por efektivi i policisë qëlloi në ajër fillimisht, ndërsa më pas qëlloi në këmbë Bilbilin.

Një tjetër episod ishte dhe vrasja e 71-vjeçarit, Lefter Zhidru, i cili qëlloi ndaj qytetarëve dhe efektivëve të policisë.

I moshuari u ekzekutua nga reparti RENEA pasi refuzoi të dorëzohej, madje tentoi të hidhte në drejtim të policisë dhe lëndë plasëse.

Por një tjetër sjellje u regjistrua në Laprakë ku efektivi 31-vjeçar i policisë qëlloi Klodian Rashën, duke e lënë të vdekur në vend.

I riu u qëllua pa u paralajmëruar me të shtëna në ajër, të cilat mund të kishin shmangur ekzekutimin e 25-vjeçarit.

Sipas të dhënave paraprake, ekspertët e policisë shprehen se punonjësi i policisë ka vepruar në kundërshtim me ligjin.

Hajdarmataj: Unë në rradhë të parë dua të shpreh ngushëllimet e mia për familjarët sepse humbja e jetës, në të gjitha rrethanat, është gjëja më tragjike që i ndodh një familje. Unë si ish punonjës policie e ndjek me më shumë vëmendje këtë situatë dhe nga ato informacione që ne kemi deri tani, nëpërmjet mediave kuptohet, aty del, deri në këto momente, del sikur arma e punonjësit të policisë është përdorur jashtë kritereve që përcakton ligji.Në legjislacionin shqiptar, i ndryshuar tashmë sa i përket përdorimit të armës, ka patur shumë më shumë raste të përdorimit të armës, aq më tepër nga punonjësi i policisë. Do të thotë, rreziku duhet të jetë evident, i vazhdueshëm dhe kërcënimi duhet të jetë real.

Ndërkohë juristët evidentojnë nenin nr.7 të ligjit për përdorimin e armëve të zjarrit ku parashikohen qartë rastet kur mund të përdoret arma.

Sipas nenit 7, arma nuk mund të përdoret kur personi që paraqet rrezikshmëri përpiqet të largohet, gjë që tregon synimin e tij për të hequr dorë nga realizimi i aktit kriminal dhe kur ky largim nuk paraqet kërcënim për pacenueshmërinë e personave të tjerë. /Ora News

Ora News - Vrasja e 25-vjeçarit në Laprakë, rasti i tretë kur policia përdor armën e shërbimit

SHKARKO APP