Vrasja e biznesmenit, Balla: U zbardh në kohë rekord, Berisha shah-mat me gënjeshtrat e tij
Kryetari i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla reagoi pas zbardhjes së ngjarjes kriminale ndodhur në Shëngjin pak ditë më parë. Teksa përgëzoi Policinë e Shtetit për zbardhjen në kohë rekord të ngjarjes së rëndë kriminale në Shëngjin, ka edhe një përgjigje për Sali Berishën.
“Përgëzime Policisë së Shtetit për zbardhjen në një kohë rekord të ngjarjes së rëndë kriminale në Shëngjin, ku tashmë janë identifikuar mbështetur në prova të pakundërshtueshme autorët, porositësit dhe për t’i dhënë mundësinë publikut të njohë plotësisht organizimin dhe financimin e atij akti të rëndë kriminal”, u shpreh Balla.
“Tashmë Policia e Shtetit dhe Prokuroria e kanë zbardhur ngjarjen brenda disa ditësh dhe harresa nuk mund të jetë shpëtimi nga turpi i deklaratave dhe akuzave të non-gratës. Jam i sigurt që edhe në këtë shah-mat të radhës do të kundërshtojë të vërtetën dhe do të varet në litarin e gënjeshtrës dhe shpifjes, dy armët e vetme që ka pas dhe ka ky mbeturinë politike”, tha Balla.