Vrasja e çamëve gjatë diktaturës/ Idrizi: “Fantazmat e kuqe” vijojnë të enden në shoqëri
Kreu i Partisë Drejtësi Integrim dhe Unitet, Shpëtim Idrizi deklaroi se shoqëria shqiptare nuk është ndarë nga e kaluara, ndërsa thekson se “fantazmat e kuqe” të kohës së diktaturës në Shqipëri shafqen ende sot.
Në fjalën e tij gjatë takimit “Persekutimi i shqiptarëve të Çamërisë”, Idrizi tha se është e pamundur se si institucionet shqiptare nuk i kanë dënuar krimet e atij regjimi. Ndër të tjera, ai shtoi se komunteti çam ka qenë ndër të vetmit që ka kundërshtuar regjimin.
“’Fantazmat e kuqe’ na shfaqen dhe sot në shoqërinë shqiptare. Është e pamundur se si institucionet shqiptare nuk kanë një dënim për atë sistem. Nuk kemi ndarë si shoqëri nga e kaluara, për të dënuar sistemin komunist, që ishte i vendosur në mënyrë jo të natyrshme në Shqipëri. Na vinte nga Rusia Sovjetike. Ne nuk bëmë asnjë radiografi të sistemit sovjetik. Do doja të kthehesha tek ajo që ka ndodhur me shqiptarët e Çamërisë. Nëse ka pasur persona kundër këtij regjimi, ka qenë komuniteti çam. Ne kemi marrë nisma konkrete në parlamentin e Shqipërisë. Do doja të kujtoja nismën e parë për heqjen e dekoratave për ‘kapelet e kuqe’”, tha Idrizi.
Shpëtim Idrizi theksoi se është e nevojshme që të njohim historinë e diktaturës.
“Dua një nderim për të gjithë ata shqiptarë të Çamërisë që u vranë dhe u persekutuan.”, tha Idrizi.