Vrasja e dy turistëve në Theth, reagon Ministria e Jashtme e Çekisë

Ngjarja e rëndë në Theth ku humbën jetën dy turistë çekë Michal Svatos, 27 vjeç dhe Anna Kosinova, 36 vjeçe,  është pasqyruar nga agjencitë më prestigjioze në Europë dhe sigurisht ishte lajmi i parë për agjencitë  lajmeve në Çeki.

Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme e Çekisë i tha agjencisë shtetërore të lajmeve Çeke se turistët ishin nga zona perëndimore e Bohemit në Çeki. “Rasti është duke u hetuar si një krim, pasi burri dhe gruaja ndoshta janë vrarë. Ata janë gjetur mbrëmë në makinën e tyre në veri të Shqipërisë pranë qytetit të Shkodrës, e cila tërheq shumë turistë,” tha zëdhënësi i ministrisë, Michael Lagronová.

Më tej mbi ngjarjen kjo agjenci dhe të tjerat në Çeki i referohen agjencive më të mëdha të lajmeve në Europë. Agjencia “Reuters”, duke iu referuar policisë dhe dëshmitarëve okularë raporton se turistët u qëlluan për vdekje të premten në mbrëmje, në një rrugë në zonat malore. Vrasësit pastaj e hodhën makinën në një përrua që të mbulonin krimin si një aksident. Në makinë, sipas policisë, është gjetur një armë automatike dhe një revistë.

Viktimat më parë janë grabitur. “Është e mundur që një nga sulmuesit të mund të ketë udhëtuar me viktimat,” tha një zëdhënës i policisë.

Policia, sipas agjencisë AFP, njoftoi se përveç automjetit gjeti edhe armën Kallashnikov dhe dhjetë fishekë. Çifti nga Çekia kishte marrë disa ditë më parë rrugën e tyre me një grup turistësh të tjerë çekë dhe kishte ndërtuar një kamp në afërsi të fshatit të largët të Thethit, rreth 50 kilometra nga objektivi ku janë sulmuar.

Mali afër Thethit, ku majat shkëmbore arrijnë deri në 2400 metra, është një destinacion popullor për turistët nga Evropa Perëndimore dhe Qendrore. Popullaritetit të saj i shtohen edhe ata që janë kultivuesve kanabis, pavarësisht ndërhyrjes së policisë verën e kaluar.

Turistë çekë nuk është hera  e parë që përballen me tragjedi të kësaj natyre në këtë zonë.

Në këtë zonë në vitin 2001, në malet afër Thethit u zhdukën edhe tre studentë çeke. Edhe sot e kësaj dite kanë dështuar përpjekjet për të mësuar fatin e tyre. Nuk janë konfirmuar as spekulimet e medieve çeke se studentët mund të kenë rënë viktima të trafikimit të organeve njerëzore.

SHKARKO APP