Vrasja e Eglantina Bucit, Prokuroria dërgon në gjyq babain dhe vëllain, Faik e Shkëlzen Bucin
Nëntë vite pas vrasjes së Eglantine Bucit dhe hedhjes së trupit të saj në mal, Prokuroria ka dërguar në gjyq babain dhe vëllain e saj me akuzën e ekzekutimit të së resë. Sipas organit të akuzës, shkak i vrasjes kanë qenë mosmarrëveshjet familjare, ndërkohë që krimi është zbardhur falë dëshmisë së dhënë nga një i penduar që ka qenë prezent në momentin kur ka ndodhur ngjarja. Ai ka pretenduar se pas ngjarjes autorët e kanë kërcënuar të mos tregonte.
Prokuroria e Tiranës ka vendosur të dërgojë në gjyq për akuzën e vrasjes shtetasit Faik dhe Shkëlzen Buci, babë e bir të arrestuar në muajin shtator 2020, si personat që kanë organizuar ekzekutimin e Eglantina Bucit.
Sipas grupit të hetimit, babai i viktimës Faik Buci dhe vëllai Shkëlzen Buci, dyshohen për veprën penale të “vrasjes me paramendim”.
Si motiv të këtij krimi, prokuroria ka identifikuar konfliktet e vazhdueshme në familje dhe largimin nga banesa të Eglantina Bucit, pa dëshirën e babait dhe vëllait.
Ngjarja është zbardhur pas 8 vitesh falë rrëfimit të dëshmitarit kryesor, Miklart Tola, i cili ndodhet në burg për një krim tjetër në zonën e kompleksit “Halili” në Tiranë.
Tola u ka rrëfyer hetuesve se vrasja e Eglantina Bucit ishte kryer nga njerëzit e familjes së saj.
Fillimisht punonjësit e policisë e kanë marë me rezerva dëshmitarin, por pas krahasimit të ADN-së së nënës me eshtrat e gjetura në malin e Dajtit, ka rezultuar se të dhënat laboratorike tregonin profile të nënë e bijë.
Në vazhdim të hetimit Miklart Tola, i ka qëndruar dëshmisë së tij, duke treguar detaje në zonën ku ka ndodhur krimi dhe u gjetën nga një gjahtar eshtrat e Englantina Bucit, në vitin 2012.
I penduari ka thënë se ka qenë me dy autorët dhe me viktimën kur ndodhi vrasja, ndërsa më pas është përballur edhe me kërcënimet për të mos folur.
“Këtë që pe sot fshije nga kujtesa, kur iku një mos të bëhen dy, se ke familje”, i ka thënë Shkëlzeni.
Aty ka ndërhyrë babai duke i thënë “se bën vaki dhe të merr koka erë, se ke çunin për të rritur”.
Takimi mes tyre ka zgjatur 30 minuta, ku fjalia që ka thënë dëshmitari ka qenë “rrini të qetë se nga unë nuk del asnjë lloj fjale”.
Nga krimi makabër, babë e bir nuk ishin aspak të penduar.
Madje referuar rrëfimit të dëshmitarit, Faiku i kishte thënë se “ishte pak ajo që i kishin bërë Eglantinës”.
“Ajo siç e kishte kokën ashtu e pësoi, se jo këtë që e kishte hak, por edhe ta varje te “Skënderbeu” në mes të sheshit e kishte pak”-i ka thënë Faiku, dëshmitarit.
Eshtrat e Eglantinës u gjetën nga një gjuetar në datën 13 shtator 2012, por sipas ekspertëve vrasja kishte ndodhur 12 vite më parë.
Policia është kthyer në vendin e krimit më 21 shtator 2012, ku janë gjetur një pjesë e eshtrave të viktimës.
/Ora News