Vrasja e gjyqtares, ja vendimi i Gjykatës që i dha lirinë ish-burrit
Gjyqtarja e Gjykatës së Shkodrës, Fildeze Hafizi humbi jetën një ditë më parë mes plumbave nga ish-bashkëshorti i saj, Fadil Kasemi. Ai kishte tentuar ekzekutimin e gjyqtares dy vite më parë pranë plazhit të Golemit, ku ajo ndodhej së bashku me fëmijët e saj.
Zbardhet vendimi që i dha lirinë autorit të krimit Fadil Kasemi, i cili la qelinë e burgut në 14 janar të vitit 2017, duke përfituar nga amnistia. Vendimi i Gjykatës së Kavajës për këtë ngjarje është dhënë në datë 28 prill 2016 dhe mësohët se përmban tre pika të cilat ndihmuan Fadil Kasemin të lirohej në 14 janar të vitit 2017.
Ngjarja e vitit 2015-të kur Fadil Kasemi tentoi ta vriste ish-bashkëshorten gjyqtare në një restorant në Golem nuk u klasifikua si tentativë vrasje, por për “mbajtjen pa leje të armëve luftarake” dhe të “dhunës në familje”.
Ish-bashkëshorti i gjyqtares u dënua për “armëmbajtje pa leje në banesë” që dënohet nga 1 deri në 5 vjet burg, dhe jo për “arëmbajtje pa leje në makinë apo ambiente publike” që dënohet nga 7 deri në 15 vjet burg. Trupa e gjyqtarëve që ka dhënë këtë vendim përbëhej nga Luan Lusha, gjyqtar kryesues; dhe gjyqtarët Eda Kaja dhe Markeljan Koco. Një tjetër lehtësi që çoi në lirimin e Kasemit ishte fakti që ka disa familjarë të papunë, ndërkohë që rezulton se është tregtar i fuqishëm dhe ka një dyqan në pronësi të tij tek “tregu çam”.
Të gjitha këto bënë që ish-bashkëshorti i gjyqtares të përfitonte nga amnistia dhe të lihej i lirë. Pas krimit të rëndë, 53-vjeçari rrezikon burgim të përjetshëm. Fadil Kasemi do ulet përballë gjykatësve në Krimet e Rënda për të pritur dënimin. Masa e sigurisë në ngarkim të tij pritet të jepet ditën e shtunë. Ai ka pranuar krimin përpara uniformave blu deklaruar se e vrau gruan pasi ajo nuk e linte të takonte fëmijët./Shqiptarja/
KOHA JONË SONDAZH

